LSI, Vasili: Mogerini në ikje i bëri qokën e fundit Edi Ramës

Shqipëria

LSI, Vasili: Mogerini në ikje i bëri qokën e fundit Edi Ramës

Më: 8 maj 2019 Në ora: 19:19
Petrit Vasili

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, thotë se komisionerja për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Federica Mogerini, në ike e sipër nga posti, i bëri sot qokën e fundit kryeministrit Edi Rama, pasi siç tha ai, “Mogherini në ikje, flet për një Shqipëri që nuk ekziston”.

“Ajo habiti për keq shqiptarët duke dhënë fakte imagjinare në vend të të vërtetave, që ata i njohin mirë”, – thotë ish deputeti i LSI dhe disa herë ministër në kabinetet qeveritare prej vitesh.

Më tej, z.Vasili analizon shtatë pika ku siç pohon ai, shqiptarët nuk pajtohen dot me Mogherinin:

“Së pari: Është e vërtetë se 63 % e shqiptarëve nuk e mbështesin reformën ne drejtësi dhe nuk është aspak e vërtetë ajo qe thotë Mogerini se 80% e shqiptareve mbështesin atë.

Së dyti: Është e vërtetë, që Shqipëria e ka marre rekomandimin për hapjen e negociatave që në vitin 2016 dhe jo vjet kur thotë Mogerini. Madje vjet Shqipërisë iu shtuan edhe 7 kushte te tjera.

Së treti: Është e vërtetë qe reforma ne drejtësi është dështim i plote, Shqipëria është pa drejtësi, pa gjykate kushtetuese dhe të lartë, me veting me dy standarde dhe me një KLGJ dhe KLP kur njerëz pa integritet deri dhe bashkëpunëtorë të sigurimit janë pjese e tyre dhe nuk është aspak e vërtetë ajo që thotë Mogerini se ajo është një histori suksesi për t’u marre shembull.

Së katërti: Është e vërtete se krimi mbretëron dhe korrupsioni është thelluar me 8 shkallë sipas Transparence International dhe nuk është aspak e vërtetë ajo që thotë Mogerini se korrupsioni është luftuar.

Se pesti: E vërtetë është që qeveria dhe kryeministri kanë dalë nga sistemi dhe kane krijuar monizmin ne parlament dhe ne sistemin e drejtësisë dhe nuk është aspak e vërtetë ajo që thotë Mogerini se qeveria ka përmbushur detyrimet.

Së gjashti: Është e vërtetë qe media është kapur nga qeveria dhe liria e medias sipas Reportereve pa Kufi ka rene me 8 shkalle.

Së shtati: Është e vërtetë qe Zgjedhjet e lira u shkatërruan nga krimi i organizuar dhe fajtoret nuk janë dënuar, dosjet 339 dhe 184 janë bllokuar dhe kriminelet ne qeveri dhe jashtë saj livadhisin si duan”.

Në këtë pikë, z.Vasili shtron pyetjen: “Pse Mogerini i largohet te vërtetave, përse i fsheh ato dhe pse nuk i evidenton këto të vërteta?”

Duke theksuar sërish se “Mogerini i habiti për keq sot shqiptarët”, z.Vasili shton:

“Mogerini mbylli sot sytë edhe përpara raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Parimet e Europes se Bashkuar kane ne themel zgjedhjet e lira e te ndershme, transparencën, demokracinë funksionuese, shtetin e se drejtës, barazinë përpara ligjit, luftën pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit ku qeveria ka dështuar në të gjitha”.

“Me sa duket Mogerini në ikje e sipër i harroi rrugës këto parime të mëdha te Evropës që aspirojnë shqiptarët, por qe nuk ka aspak të bëjë me atë që thotë Mogerini në alibinë për qeverinë e kapur të Edi Ramës. Gjynah. Mogerini ishte një kohë e humbur kot për shqiptarët”, – përfundon qëndrimi i z.Vasili. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat