“Kryetari” i VV-së në Tiranë: Shqipëria po bie nën ndikimin e Serbisë

Shqipëria

“Kryetari” i VV-së në Tiranë: Shqipëria po bie nën ndikimin e Serbisë

Më: 8 maj 2019 Në ora: 23:55
Albin Kurti dhe Boiken Abazi

Drejtues i Qendrës së Vetëvendosjes në Tiranë, Boiken Abazi, ka thënë se Shqipëria është duke rënë nën ndikimin e Serbisë.

Sipas tij, ftesa që Shqipëria ua ka bërë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetarit të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, në Samitin e Brdo-Brijunit është e papranueshme dhe se qytetarët e Shqipërisë duhet të kundërshtojnë këtë politikë.

“Ndoshta jemi vonuar me angazhimin sepse po shoh se Serbia ka shtrirë ndikimin jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. E ka bërë duket përmes biznesit e ekonomisë e përmes këtij ndikimi po ndikon edhe te udhëheqësit politikë të këtij shteti. Qytetarët e Shqipërisë duhet të vetëdijesohen. Ata kanë menduar se rreziku mund të vinte nga disa qasje ultra nacionaliste greke, e kurrë s’kemi menduar se Tirana zyrtare do të binte nën ndikimin e Beogradit e Republika Serbe. E papranueshme. Duhet të organizohemi t’i kundërshtojmë këto politika e ta mbrojmë shtetin, kombin e interesat tona të përbashkëta”, ka thënë ai.

Sot Vetëvendosje në Tiranë organizoi protestë ndaj ftesës së këtyre dy liderëve serbë duke i shpallur ata persona non-grata. Sipas tij, ata janë non-grata sepse ashtu i konsiderojnë të gjithë shqiptarët.

“E kaluara e tyre është kriminale ndaj popullit shqiptar. Milorad Dodik është lider politik i Republikës Serbe që nuk e njeh Kosovën. Vuçiq, që njihet më mirë, është udhëheqës serb që s’ka treguar në asnjë moment të jetë pishman ose të kërkojë falje ose të tregojë shenjë pendese për atë që ka ndodhur në Kosovë kur ishte ministër i Informacionit në Qeverinë e Millosheviqit. Kabineti i tij mohon çdo javë masakrat. Ka bërë kërcënime ushtarake e ne i vlerësojmë kërcënime ndaj kombit shqiptar jo veç ndaj Kosovës”, ka deklaruar Abazi.

Sipas tij, është shumë shqetësuese ftesa në Tiranë “e dy personave të përfshirë në planin për copëtimin e Kosovës”.

“Besoj se s’duhej të ishin ftuar fare këta shovinistë serbë. Është detyrë e institucioneve të Shqipërisë të kërkojë njohjen e Kosovës, dëmshpërblimet, mbi 1600 të zhdukur, përdhunimin e mbi 20 mijë grave, kthimin e fondit pensional, artefakteve. Këto duhet çdo institucion shqiptar t’i kërkojë me ngulm nga këta dy politikanë. Kjo është rruga e duhur, dinjitoze për të mbrojtur interesat kombëtare e jo nderimet shtetërore ndaj politikanëve që s’kanë shprehur pendesë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se me pjesëmarrjen e Vuçiqit në këtë samit, po stabilizohet fashizmi i Serbisë në Shqipëri e Kosovë.

“Në mënyrë të gabuar janë shprehur se Shqipëria me këtë politikë të saj luan një lloj faktori stabiliteti. Pa i numëruar Serbisë krimet e saj ky stabilitet është ai i fashizmit të Serbisë. S’është e drejtë që të veprojmë kështu duke normalizuar dy politikanë me prirje të qarta fashiste, ekspansioniste, diskriminuese”, ka deklaruar më tej Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat