Tubat e çarë të ujësjellësit; Në Bulqizë shkon në 130 numri i të intoksikuarve

Shqipëria

Tubat e çarë të ujësjellësit; Në Bulqizë shkon në 130 numri i të intoksikuarve

Më: 10 maj 2019 Në ora: 16:53
Bulqizë

Në spitalin e Bulqizës janë paraqitur edhe 15 qytetare të tjerë për të kërkuar ndihmë nga helmimi. Numri i banorëve që janë paraqitur me shenja intoksimi siç dyshohet deri tani nga uji i pijshëm shkon në 130.

Ata banojnë në lagjen e vjetër në Bulqizë, e cila furnizohet me ujë të pijshëm nga tubacionet që kalojnë nëpër galeritë e minierave të zonës D.

Në redaksinë e Top Channel janë dërguar disa video ku shfaqen tubacionet e çara, edhe pse prej ditësh si drejtoria e ujësjellësit të qytetit ashtu dhe bashkia thonë se nuk kanë njoftim për probleme.

Top Channel kërkoi të kontaktonte me drejtorinë e ujësjellësit dhe bashkinë për të pyetur mbi problemet që duken në video, por askush nuk pranoi të japë informacione.

Vetëm pak ditë më parë i intervistuar nga Top Channel, drejtori i ujësjellësit në Bulqizë deklaronte:

“Ne kemi ngritur grupet e inspektimit dhe grupet e punës. Nga ana ujësjellësit Bulqizës është verifikuar që linjat tona nuk kanë asnjë problem dhe asnjë ndërhyrje në rrjet. Po ashtu ka vijuar klorifikimi sipas grafikut”, tha më 6 maj 2019, Nedi Muça.

Banorët e dy lagjeve në Bulqizë vazhdojnë të blejnë ujë për të pirë ose të shkojnë shumë larg për ta mbushur në pamundësi ekonomike për ta blerë në dyqane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat