Spitalet i deklaruan fëmijët e sapolindur të vdekur, nënat pas 30 vitesh kërkojnë të zbulojnë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me ta

Shqipëria

Spitalet i deklaruan fëmijët e sapolindur të vdekur, nënat pas 30 vitesh kërkojnë të zbulojnë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me ta

Më: 11 maj 2019 Në ora: 22:31
Nënat pas 30 vitesh kërkojnë të zbulojnë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me ta

Programi “Dua të të bëj të lumtur” ndryshe nga herët e tjera solli në ekranet tona mbrëmjen e sotme, historinë e tri nënave që nuk njiheshin me njëra-tjetën por që i bashkonte e njëjta ngjarje. Moderatorja Arbana Osmani tregoi se në redaksinë e programit kishin ardhur 6 histori të njëjta, ku nënat nuk dinin se çfarë kishin ndodhur me fëmijët e sapolindur të deklaruar të vdekur nga spitalet.

Në studio kishin ardhur zonjat File, Nadiola dhe Resmia të cilat rrëfyen historitë e jetës së tyre dhe fatkeqësitë që i kishin ndodhur. Të trija nënave u ishte thënë nga mjekët se fëmijët kishin lindur të vdekur ose kishin ndërruar jetë pas lindjes. Asnjëra prej tyre nuk kishte pasur mundësinë t’i shikonte fëmijët e vdekur, pasi bluzat e bardha kishin këmbëngulur që ata duhet t’i varroste spitali. Prindërit të shokuar nga ngjarja nuk kishin kërkuar që të merrnin trupin e pajetë të fëmijëve të sapolindur.

Kanë kaluar më shumë se 30 vjet dhe nënat janë të bindura se fëmijët e tyre jetojnë. Pas shumë kërkimeve që ato kishin bërë, kishte rezultuar që të dhënat nuk përputheshin në regjistrat e spitaleve përkatëse. Për këtë arsye tri zonjat i ishin drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për të bërë publik rastin dhe për të marrë një përgjigje nga instancat shtetërore.

Me çështjen e zonjave ishte marrë gazetarja e redaksisë së programit, Lorina Mixha e cila ishte e ftuar në publik bashkë me zonjën Shpresa Toska, një mami e dalë në pension. Zonja Shpresa shpjegoi proçedurën se si veprohet në rastet kur një fëmijë ndërron jetë në martenitet. Moderatorja, Arbana Osmani lexoi përgjigjet zyrtare të institucioneve përkatëse në të cilat thuhej që një pjesë e regjistrave ishte djegur dhe se kishte mungesë informacioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat