‘S’ka ndërkombëtar që propozon negociata me politikanë që kanë veshur jelekun e verdhë’

Shqipëria

‘S’ka ndërkombëtar që propozon negociata me politikanë që kanë veshur jelekun e verdhë’

Më: 12 maj 2019 Në ora: 17:26
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në komunikimin e tij me media pas protestës së dhunshme të opozitës, ceku edhe ngjarjen e natës së mbrëmshme, kur siç tha ai, është kërcënuar ambasadori i OSBE-së, menjëherë pas një deklarate shumë të qartë të OSBE-së që foli për organizatorë, përgjegjës, për dhunë kriminale.

“OSBE-ja, organizata që zakonisht kur flet duket se i ka të peshuara të gjitha në kandar farmacie që do të thotë se kur OSBE bën këtë deklaratë, duhet të bëjmë një pyetje  A jemi vërtet të vetëdijshëm deri në fund se çfarë është kjo? Dhunë kriminale e pashembullt, se dikush në hije, dikush që ndjehet i përjashtuar totalisht nga rrjedha e zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore vesh jelekun e verdhë, del në Shans Elize ose tenton të shkojë deri në derën e Asamblesë Nacionale dhe e bën këtë që është e papranueshme dhe e pa tolerueshme, por sidoqoftë vjen nga dikush që ndjehet se s’ka zë. Por një grupim parlamentar që ka detyrimin kushtetues të përfaqësojë të tjerët që i kanë dhënë votën për ta përfaqësuar, që del nga parlamenti dhe pastaj vjen natën para parlamentit me jelekun e verdhë është fundi”, tha Rama

“Nuk ka ndërkombëtar që të ulet të bëjë një paketë për të propozuar negociata me këta, nuk ekzistojnë. Nuk negociohet me jelekët e verdhë, jo më të negociohet me politikanë që kanë veshur jelekun e verdhë. Çfarë do negociosh, flas në sytë e ndërkombëtarëve, ndërsa për mua që jam këtu, dialogohet patjetër. Por, të negociojmë mandatin? Ata mendojnë se ne jemi si ata që mandatin e marrë nga qytetarët e konsiderojnë një leckë”, përfundoi kryeministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat