Basha: Beteja jonë për t’i kthyer vendit normalitetin

Shqipëria

Basha: Beteja jonë për t’i kthyer vendit normalitetin

Më: 12 maj 2019 Në ora: 17:43
Lulzim Basha

Në një bashkëbisedim me gazetarët, pasditen e së dielës, kreu i PD-së, Lulzim Basha e cilësoi “natë dramatike” protestën e katërt të opozitës. “Nata e mbrëmshme ishte një natë dramatike, kulmim i një krize nga më të thellat dhe që prek aspektet më të ndjeshme në jetën e qytetarëve shqiptarë. Nga aspekti ekonomik, te pasiguria për të nesërmen, që burojnë nga asgjësimi i sigurisë juridike, barazia përpara ligjeve, apo pandëshkueshmëria e autoriteteve që duhet të veprojnë për sundimin e rendit dhe të ligjit. Pasiguri jo vetëm për qytetarët që dalin rrugëve, apo duan të konsumojnë një kafe në barin e lagjes, por edhe pasiguri për vendin e punës. Gjithçka e përmbledhur në një krizë ku pasiguria është ulur këmbëkryq në të gjitha fushat”, tha Basha.

Sipas kreut të demokratëve, dje qytetarët shqiptarë u “bombarduan” nga gazi lotsjellës.

Basha theksoi sërish se beteja e PD-së nuk është për pushtet, por për t’i rikthyer normalitetin vendit.

“Është e qartë që kështu nuk mund të vazhdohet më. Beteja jonë nuk është një betejë për pushtet, as personale mes meje dhe Edi Ramës. Unë atë e kam mundur, por atë e ka mundur edhe lodhja, pushteti dhe zullimi, e ka mundur varfëria e popullit, por edhe hajnia e arroganca. Sot, Partia Demokratike është nisur për t’i rikthyer normalitetin këtij vendi, në mënyrë që çdo shqiptar të jetojë në vendin e vet”, tha Lulzim Basha.

Basha paralajmëroi Ramën përpara protestës tjetër të programuar për pasditen e së hënës. ““Në prag të protestës kombëtare të thirrur nesër, dua t’i bëj një paralajmërim të qartë: Mos i kalo caqet, mos u fshih pas blindave të Gardës. Në rastin më të mirë do të lutesh të kesh fatin e Nikola Gruevskit”, tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat