Cakaj: Sulmi ndaj shtëpisë së Borchardt, një tjetër akt i papranueshëm kriminal

Shqipëria

Cakaj: Sulmi ndaj shtëpisë së Borchardt, një tjetër akt i papranueshëm kriminal

Më: 12 maj 2019 Në ora: 20:15
Gent Cakaj

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj reagoi sot, duke e cilësuar grumbullimin intimidues të mbështetësve të opozitës pranë shtëpisë së ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Berndt Borchardt si një akt tjetër të papranueshëm kriminal.

“Sulmi i mbrëmshëm ndaj shtëpisë të Ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, pas deklaratës publike të OSBE kundër dhunës kriminale në protestën e djeshme, përbën një tjetër akt të papranueshëm kriminal. Veprimi është kryer në urdhëra të qarta politike të krerëve të protestës me qëllim frikësimin e Ambasadorit Borchardt dhe familjes së tij, si hakmarrje primitive e atyre që pasi kanë humbur kontrollin e vetes duan të nxjerrin nga kontrolli rendin kushtetues të Shqipërisë”, deklaroi Cakaj.

Sipas tij, ambasadori Borchardt vazhdimisht ka kryer punën e tij me profesionalizëm të plotë në kuadër të Misionit të OSBE-së dhe faji i tij i vetëm është thirrja fisnike për frenim nga dhuna dhe distancim nga veprimtaria e dhunshme.

“Sulmi ndaj tij është sulm ndaj themeleve të kulturës demokratike, imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe përpjekje e drejtëpërdrejtë për ta cenuar besueshmërinë e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së 2020. Kjo nuk është thjesht Shqipëria që duam: kjo nuk është kurrësesi as Shqipëria e tanishme. Kjo është Shqipëria e një grupi rrugëhumburish politik dhe huliganë kriminalë si ata që kryejnë akte dhune dhe që kanë dhunuar edhe banesën e ambasadorit. Për më shumë, kultura e liçimit masiv, diskreditimit tendencioz profesional dhe cenimit personal është krim në vetvete. Ndaj, secili person me përgjegjësi minimale shoqërore duhet menjëherë të distancohet nga sulmi kriminal ndaj Ambasadorit Borchardt dhe të dënojë veprimtarinë e dhunshme kundër Shqipërisë në përgjithësi”, tha Cakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat