Lleshaj: Policia u monitorua në protesta. Më 11 maj isha në polici, por jo në komandë

Shqipëria

Lleshaj: Policia u monitorua në protesta. Më 11 maj isha në polici, por jo në komandë

Më: 15 maj 2019 Në ora: 14:49
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi për herë të parë se ndërkombëtarët kanë monitoruar protestat e opozitës dhe kanë qenë në koherencë të të gjitha zhvillimeve, përfshirë edhe asaj të 11 majit e cila degjeneroi në dhunë dhe përplasje fizike.

Në intervistën e dhënë në studion e “Top Show”-t, ministri sqaroi se ata kanë qenë të pranishëm në sallat vrojtuese të Policisë së Shtetit.

“Jo vetëm sipas vlerësimit tim, por sipas vlerësimit të të gjithë atyre profesionistëve ndërkombëtarë, të cilët e kanë ndjekur zhvillimin e protestave dhe mënyrën e menaxhimit të tyre nga policia në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga sallat e vrojtimit, është i notës maksimale. Ndërkombëtarët kanë qenë në sallat e vrojtimit, për të gjitha protestat. Këtu flas për misionet e shumta të asistencës dhe ndërlidhjes që janë pranë Policisë së Shtetit”, tha ministri Lleshaj.

Lidhur me akuzat e Enkelejd Alibeajt, se ministri i Brendshëm ka drejtuar protestën e 11 majit nga zyrat e Drejtorisë e Përgjithshme të Policisë, Lleshaj pranoi se ka qenë i pranishëm, por jo në komandë të operacionit.

“Kam qenë në Policinë e Shtetit dhe do të shkoj prap atje kur të ketë ngjarje të kësaj natyre. Do të shkoj, sepse është detyra ime kushtetuese. Nuk kam qenë në drejtim të Policisë së Shtetit, sepse drejtimi bëhet nga salla e operacioneve, në të cilën nuk kam hyrë ndonjëherë. Jo se më ndalohet, por sepse nuk e kam pasur kuriozitetin për të hyrë”, u shpreh më tej ministri i Brendshëm.

Sandër Lleshaj deklaroi gjatë intervistës se Policia e Shtetit nuk ka pasur dijeni për përdorimin e molotovëve gjatë protestës.

“Molotovët na kanë zënë në befasi. Edhe këto bateritë e fishekzjarreve të ndaluara janë të gjitha të trafikuara, të futura në Shqipëri në mënyrë ilegale dhe të përdorura në mënyrë ilegale. Sigurisht që s’kemi pasur informacion që janë futur në sasi të tilla, për arsye se këto janë realizuar nën koperturë (mbulim) politike, që nga transporti, organizimi e gjithçka tjetër”, tha ministri Lleshaj.

Për këtë ai bën përgjegjës drejtpërdrejt drejtuesit e PD-së dhe LSI-së, si organizatorët e protestës.

Sa i takon dhunës ndaj Sait Dollapit, ministri i Brendshëm pohoi se duhej të ishte menaxhuar ndryshe, edhe pse protesta e opozitës sipas tij ka pasur dy synime: të godasin Policinë e Shtetit dhe institucionet kushtetuese.

Sa i takon mbarëvajtjes së zgjedhjeve, Lleshaj deklaroi se Policia e Shtetit është në gjendje për t’i përballuar edhe në situatë anormale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat