Basha pas mbledhjes së kryesisë së PD-së: Përballje me të gjitha format

Shqipëria

Basha pas mbledhjes së kryesisë së PD-së: Përballje me të gjitha format

Më: 15 maj 2019 Në ora: 21:02
Lulzim Basha

Partia Demokratike dhe aleatët e saj, kanë vendosur të vazhdojnë protestat me kërkesën për largimin e Kryeministrit Edi Rama, ngritjen e një qeverie tranzitore.

Pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, kreu i kësaj partie Lulzim Basha tha se vendimi unanim i opozitës është përballja ballore me të gjitha format.

“Vendimi unanim i opozitës është përballje ballore me të gjitha format. Që nga ky moment do të jemi çdo ditë dhe çdo minutë bashkë me qytetarët në një përballje pa kthim me ushtarët dhe shërbëtorët e juntës kriminale në pushtet derisa të diktojmë kthimin tek demokracia”, tha Basha pas mbledhjes së kryesisë.

Sipas Bashës, vendimi është marrë pasi forumet më të larta drejtuese të PD dhe kryetarët e koalicionit opozitar kanë shqyrtuar atë që ai e cilësoi “gjendje e rëndë e grushtit të shtetit ku ndodhet vendi”.

Kryesia e PD-së ka vendosur që protesta e radhës e opozitës do të jetë në 25 maj në mbrëmje.

I pyetur nëse do të ketë bomba molotov në këtë protestë, Basha tha se “ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për dhunë dhe distancohemi nga çdo akt dhune”.

“Komandant i zemërimit popullor nuk është Lulzim Basha. Zemërimi popullor vetëm do të rritet. Detyra jonë është vetëm të parashtrojmë zgjidhjen politike dhe të thërrasim shqiptarët ta mbështesin këtë kauzë, gjë që e kanë bërë në mënyrë të paprecedentë dhe madhështore, për të cilën përkulem me mirënjohjen më të thellë ndaj tyre”, tha Basha. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat