Qeveria ndan fondet për zgjedhjet, përjashton PD e LSI. Ja shuma, pjesën kryesore e merr …

Shqipëria

Qeveria ndan fondet për zgjedhjet, përjashton PD e LSI. Ja shuma, pjesën kryesore e merr …

Më: 16 maj 2019 Në ora: 09:05
Ilustrim

Qeveria ka miratuar një projektvendim për shpërndarjen e fondeve për partitë politike që marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Projektvendimi i qeverisë i është kaluar për miratim Kuvendit të Shqipërisë, i cili do ta shqyrtojë në seancën e sotme plenare.

FONDET

Sipas projektvendimit, parashikohet që për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, partitë politike që janë regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrin një vlerë prej 65 milionë lekësh. Projektvendimi që pritet të miratohet sot në Parlament nuk ka të detajuar mënyrën se si do të ndahet kjo vlerë, por pjesën e luanit pritet ta marrë Partia Socialiste, e cila garon në të 61 bashkitë e vendit.

Lekë nga paratë e shtetit do të marrë për herë të parë edhe partia e Astrit Patozit, Bindja Demokratike, e cila është regjistruar për zgjedhjet vendore. Sipas akteve të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për 30 qershorin janë regjistruar 42 parti. Por forca e vetme politike që garon në 61 bashki është Partia Socialiste, e cila ndiqet më pas nga Bindja Demokratike në 26 bashki dhe më pas me parti të tjera që garojnë në një zonë elektorale.

PËRJASHTIMI

Përjashtim nga fondet publike këtë herë do të bëjë e gjithë opozita që ka djegur mandatet parlamentare. Sipas vendimit të marrë në unanim nga opozita, asnjë prej partive nuk u regjistrua në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Opozita, para pak javësh, nënshkroi një marrëveshje koalicioni me një grupim prej 10 partish, ku që të dhjeta nuk u regjistruan në zgjedhje.

Kësisoj, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut si edhe tri forca të tjera politike nuk do të përfitojnë asnjë fond nga buxheti i shtetit, pasi nuk janë subjekt i fushatës elektorale.

Fushata, nga ana e saj, pritet të startojë zyrtarisht këtë fundjavë, ku përkon edhe me afatin e parashikuar në Kodin Zgjedhor, 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kësisoj, partitë e regjistruara do të kenë mundësi që nga paratë publike të mund të bëjnë fushatë elektorale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat