Admir Murataj, i cilësuar si organizatori i grabitjeve të parave të bankave në Rinas u qëllua nga një distancë jo më shumë se 15 metra.
Në këtë konkluzion dolën ekspertët e Mjekësisë Ligjore. Akti i ekspertimit i është dorëzuar Prokurorëve për Krime të Rënda të cilët po kryejnë hetimet për grabitjen në pistën e Rinasit mesditën e 9 prillit.
Në dokument thuhet se predha në kokën e Muratajt është tejshpuese me vrimë hyrje në lobin temporal të majtë dhe dalje mbi nofullën e djathtë.
Megjithatë nuk është përcaktuar lloji i armës së zjarrit me të cilën u qëllua 44-vjeçari.
Për këtë, Prokuroria mbetet në pritje të ekspertizës balistike. Për momentin maska që mbante Murataj në kokë mbahet në laboratorin kriminalistik.
Ndërkohë, për policët që morën pjesë në aksion, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar një procedim penal për vrasje.
Dhjetë ditë më parë, familjarët dorëzuan padinë, duke hedhur dyshime për vrasje me dashje e duke kërkuar hetime për të zbuluar vrasësit e Muratajt.