OSBE: Jemi në Shqipëri të ndihmojmë forcimin e demokracisë

Shqipëria

OSBE: Jemi në Shqipëri të ndihmojmë forcimin e demokracisë

Më: 17 maj 2019 Në ora: 22:19
Bernd Borchard

Në Shqipëri zhvillimet politike vazhdojnë të mbeten të acarruara, megjithë thirrjet e autoriteteve vendase dhe ndërkombëtare për dialog mes partive politike.

OSBE nga një anë dhe Presidenti Meta nga ana tjetër po bëjnë thirrje për dialog mes partive, ndërsa KQZ po vazhdon përgatitjet për zgjedhjet vendore, ku opozita nuk po merr pjesë me kandidatë bashkiakë.

Presidenti Ilir Meta u bëri thirrje partive kryesore politike të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme në këtë situatë të trazuar dhe të zgjidhin krizën politike. Zoti Meta tha se maxhoranca dhe opozita duhet të jenë të vetëdijshme për pasojat, që i presin, nëse vendi shkojë në konfrontim civil.

“Kjo situatë nuk duhet të ekzistonte kurrsesi pas 22 vitesh që kur Shqipëria u nda me vitin 1997, që ishte një vit mjaft fatkeq. Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Për interesa tërësisht egoiste dhe okulte Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë nga sistemet përjashtuese që në vitin ’90” - tha presidenti Meta.

Nga ana tjetër, drejtuesi i OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt tha në një konferencë shkencore për krimet e komunizmit se edhe sot zgjaten këtu hijet e së kaluarës totalitare, derisa grupe me mendime të ndryshme mallkojnë njëra tjetrën pa fakte dhe pa argumenta logjike.

“Refuzohet dialogu me kundërshtarin politik. Sulmohen ata që përpiqen të vendosin faktet kundër mitit. Ky diskutim diktatorial dëgjohet nga mjaft politikanë shqiptarë; herët a vonë ata përfundojnë duke akuzuar njëri-tjetrin me metaforat dhe retorikën e hershme të “armikut të popullit”. Kjo vazhdon ta dëmtojë shoqërinë edhe sot, shumë kohë pasi regjimi politik diktatorial vrastar ka dhënë shpirt, përmes mbajtjes gjallë të perceptimit se një person i vetëm mishëron kombin dhe ka pushtetin të përcaktojë dhe ndëshkojë armiqtë” - tha ambasadori Borchardt, i cili tha se Shqipëria ka ende rrugë me forcimin e demokracisë dhe se OSBE është këtu për ta ndihmuar atë.

Po sot KQZ u zhvillua një polemikë nëse Partia Demokratike është ende apo jo parti parlamentare, pasi dogji mandatet e deputetëve të saj në parlament dhe aktualisht nuk ka regjistruar kandidatë për zgjedhjet bashkiake, por synon të futë komisionerët e vet në procesin zgjedhor.

Nënkryetari i KQZ-së Denar Biba dhe përfaqësuesi i PD-së pranë KQZ, Njazi Kosovrasti shkëmbyen pikëpamje shumë të ndryshme mbi këtë pikë.

Nga ana tjetër vëzhguesit vendorë po shprehin shqetësim mbi përgatitjet e deritanishme të procesit zgjedhor. Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, (KRIIK), një organizim me përvojë në vëzhgimin e zgjedhjeve, shpërndau një deklaratë sipas të cilës, procesi i regjistrimit të kandidatëve po ngre pikëpyetje mbi integritetin e procesit të ardhshëm zgjedhor”. Koalicioni i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mbikqyrë procesin e regjistrimit të kandidatëve, sepse ka paqartësi dhe mungesë informacioni./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat