Pse Prokuroria kërkon burg për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë: Ka cenuar thellësisht…

Shqipëria

Pse Prokuroria kërkon burg për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë: Ka cenuar thellësisht…

Më: 18 maj 2019 Në ora: 08:58
Admir Thanza

Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanzën, i cili akuzohet për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”.

Hetimi ndaj Thanzës nisi pas seancës dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që konstatoi se gjyqtari i Lartë ishte dënuar në shtetin italian për grabitje në bashkëpunim me dy persona të tjerë.

Këtë fakt, Thanza nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit, megjithëse një nga pyetjet në formular ka të bëjë me dënimet e mundshme të subjekteve të këtij ligji. Në seancën e zhvilluar dje, vetë ish-gjyqtari nuk ishte i pranishëm, ndërsa u bë e ditur se kishte kërkuar shtyrje të procesit, pasi për shkak se nuk ndodhej në Shqipëri, nuk mund të ishte prezent.

Por me gjithë pretendimet e Thanzës se donte të ishte edhe vetë i pranishëm, prokuroi i dosjes, Gentian Abazaj, tha se duhet të shpallet mungesa dhe gjykimi të vazhdojë në prani të avokatit të tij. Gjatë leximit të pretencës, prokurori bëri të ditur se në gusht të vitit që lamë pas, është shënuar procedimi penal dhe pas administrimit të formularit të dekriminalizimit nga Presidenca, pjesë e dosjes hetimore është bërë edhe vendimi i KPK-së dhe kopja e dosjes gjyqësore italiane për dënimin për grabitje.

Ndërsa prova më e fortë, që sipas Prokurorisë është e pakundërshtueshme, është kthimi i përgjigjes nga Italia, ku rezultonte se Admir Thanza, në 21 qershor të 1999-ës, është deklaruar fajtor për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”, vendimi ka marrë formë të prerë në nëntor të të njëjtit vit.

PRETENCA

Sipas Prokurorisë, autoritetet italiane, në përgjigjen e kthyer, bëjnë të ditur se në datën 18 qershor të 1999-ës, në San Giuliano Terme, shtetasi Admir Thanza në bashkëpunim me shtetasit E.A. dhe A.Th., me qëllim përfitimin material, mori rroba dhe produkte kozmetike në supermaketin “Continente”.

Sipas vendimit të Gjykatës italiane, ai është arrestuar dhe më pas është gjykuar në gjendje të lirë. Në fund të shqyrtimit, Thanza është dënuar me 2 muaj heqje lirie dhe 15 mijë lireta gjobë, vendim i konvertuar në bazë të ligjeve italiane me 40 ditë heqje lirie dhe 100 mijë lireta gjobë. Ndërkohë, duke iu referuar Prokurorisë, në formularin e vetëdeklarimit në pikat 1,2,3 dhe 4, shtetasi Admir Thanza ka deklaruar se nuk është dënuar asnjëherë nga një Gjykatë e vendit apo e huaj, apo të ketë qenë i arrestuar.

Nga ana tjetër, vetë ish-gjyqtari, i pyetur në prokurori, ka deklaruar se është i vërtetë fakti që është dënuar nga Gjykata italiane, por në interpretim të ligjit nuk e ka pasur detyrim ta deklaronte këtë dënim. Në cilësinë e të pandehurit, Thanza ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij, duke thënë se ishte në kundërshtim të ligjit. Në fund të relatimit të tij, prokurori i dosjes kërkoi shpalljen fajtor të Admir Thanzës dhe dënimin e tij me 1 vit e 6 muaj burg, ndërsa kërkoi nga Gjykata që në marrjen e vendimit të mbajë parasysh edhe rrezikshmërinë e veprës penale, autorit të saj dhe shkallën e fajit.

“I pandehur ka pasur funksionin e anëtarit të Gjykatës së Lartë. I pandehuri në funksionin e tij si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, ka qenë i ndërgjegjshëm kur e ka plotësuar formularin dhe e ka fshehur dënimin, atë që përpiqet edhe në këtë gjykim që ta mohojë. Vepra penale e falsifikimit të formularit e kryer prej një gjyqtari të Gjykatës së Lartë ka cenuar thellësisht besimin e publikut tek organet e drejtësisë, besim i cili kërkohet të kthehet me Reformën aktuale në Drejtësi, shkruan Prokuroria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat