PD: Regjistrimi i Bindjes Demokratike i paligjshëm, vërtetim falso

Shqipëria

PD: Regjistrimi i Bindjes Demokratike i paligjshëm, vërtetim falso

Më: 18 maj 2019 Në ora: 13:08
Ivi Kaso

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, tha sot nga selia blu se Edi Rama po tenton t’i vendosë një tjetër njollë të paprecedentë procesit zgjedhor në vend.

Sipas tij, për herë të parë në historinë postkomuniste në Shqipëri, Edi Rama po tenton të kthejë votimet moniste, duke patur në proces vetëm me kandidatë të partisë në pushtet ose derivate te tij.

Ai tha se sipas informacioneve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në më shumë se gjysmën e bashkive në vend është regjistruar vetëm kandidati i Partisë Socialiste, duke u mohuar qytetarëve, të drejtën kushtetuese për të zgjedhur.

Po ashtu shtoi se në pjesën tjetër, Edi Rama po tenton të regjistrojë në kundërshtim me ligjin kandidatë të një partie të krijuar në paradhomën e Edi Ramës, e cila u regjistrua në gjykatë me ndihmën e Edi Ramës, me firma të falsifikuara, në kundërshtim flagrant me ligjin.

“Sot, do të provojmë para opinionit publik sesi Edi Rama po përdor çdo mjet, po shkel ligjin zgjedhor dhe po manipulon procesin ende pa nisur për llogari të paterices së tij, Bindjes Demokratike. Sipas ligjit që një kandidat i një partie politike të regjistrohet nga KZAZ dhe KQZ në zgjedhje, duhet të paraqesë një vërtetim që partia politike zotëron një mandat deputeti të paktën 6 muajt e fundit. Në të kundërt, duhet të mbledhë firma nga votuesit e secilës zonë, ku kandidon. Bindja Demokratike nuk përmbush asnjërin nga të dy kushtet ligjorë. Partia e krijuar në paradhomën e Edi Ramës ka paraqitur kandidatë false në zgjedhjet false me një vërtetim fals nga Kuvendi i Shqipërisë”, u shpreh Kaso, duke publikuar dokumentet.

Ai tha se në një akt të paprecedentë, për llogari të Edi Ramës, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka falsifikuar dokumentet zyrtare, duke lëshuar për partinë fantazmë të Edi Ramës një vërtetim, sikur përfaqësohet në Kuvend nga një deputet që ka 6 muaj që ushtron mandatin e tij.

Ai tha se nëhet fjalë për deputetin Andi Përmeti, i cili nuk ka mbushur as një muaj në marrjen e mandatit.

PD informon opinionin publik se ka paraqitur kallëzim penal ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit për pasqyrimin e të dhënave të pavërteta në dokumente zyrtare.

Kaso tha se është zbulimi i këtyre dokumenteve dhe shumë të tjerëve që kanë shqetësuar Edi Ramën dhe patericat e tij nga paraqitja e anëtarëve të opozitës në KZAZ.

“Anëtarët tanë do të dokumentojnë në çdo Komision Zonal manipulimin e dokumentacionit apo tentativat për regjistrimin e kandidatëve në kundërshtim me ligjin. Partia Demokratike e Shqipërisë paralajmëron sot çdo anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo KZAZ-ve se do të mbajnë përgjegjësi penale për shpërdorim detyre për çdo shkelje të ligjit, për çdo regjistrim kandidatësh në kundërshtim me ligjin dhe me dokumente të falsifikuara”, deklaroi Kso.

Ai shtoi se në çdo rast, më apo pa kandidatë falso, është e qartë se procesi i organizuar nga Edi Rama nuk ka asgjë të përbashkët me zgjedhjet demokratike.

“Ky është një proces ku Edi Rama është kandidat i vetëm në 61 bashki të vendit, duke rikthyer de jure votimin monist. Votime moniste në 30 Qershor nuk ka për të patur”, deklaroi ndër të tjera zyrtari demokrat. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat