Tërhiqet nga gara për kryetar bashkie të Lezhës kandidati i Bindjes Demokratike, Salvador Kaçaj

Shqipëria

Tërhiqet nga gara për kryetar bashkie të Lezhës kandidati i Bindjes Demokratike, Salvador Kaçaj

Më: 20 maj 2019 Në ora: 18:50
Salvador Kaçaj

Kandidati për kryebashkiak të Lezhës nga radhët e “Bindjes Demokratike”, Salvador Kaçaj është tërhequr nga gara.

Vetëm pak orë pas regjistrimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidati Kaçaj ka deklaruar dorëheqjen nga gara për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Përmes një letre drejtuar KQZ, Kaçaj argumenton vendimin e tij për tërheqjen nga kandidimi.

“Gjatë gjithë jetës sime profesionale dhe politike kam qenë pjesë e shumë garave, shumicën e tij të cilave i kam fituar. Edhe propozimin për të përfaqësuar Bindjen Demokratike në 30 Qershor e vlerësova si një mundësi për të marrë pjesë në një garë për të mirën e Lezhës”, thekson Kaçaj.

“Disa rrethana dhe informacione gjatë këtyre ditëve më kanë nxitur të rishikoj vendimin për të qenë kandidat në zgjedhjet e 30 Qershorit nën siglën e Bindjes Demokratike. U jam mirënjohës qytetarëve dhe miqve të vërtetë që më bënë të kuptoj se ajo ku kisha pranuar të hyja nuk ishte një garë e vërtetë, por farsë në shërbim të pushtetit të Edi Ramës”, shton Kaçaj.

“Unë nuk mund të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer në Shqipëri një regjim njëpartiak, të përzier me krimin. Është bindja ime më e thellë se zgjedhjet farsë, pa opozitën e vërtetë në 30 Qershor do të ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjithë Shqipërisë”, thekson Kaçaj.

“Jo gjithmonë kam përkrahur vendimet politike të Partisë Demokratike, por gjykoj se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është e drejtë dhe duhet përkrahur pa asnjë rezervë. Kjo e bën sot Partinë Demokratike të vetmen alternativë që përfaqëson realisht vlerat europiane” shprehet Kaçaj.

“Për këto arsye, deklaroj largimin nga Bindja Demokratike dhe tërheqjen time nga kandidimi për Bashkinë e Lezhës, duke iu bashkuar kauzës së Partisë Demokratike dhe opozitës për mbrojtjen e demokracisë deri në fitore”, përfundon Kaçaj letrën e tij drejtuar KQZ. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat