Berisha flet për ambasadorin Borchardt: Opozita e konsideron të lidhur me Ramën - Bota Sot
Berisha flet për ambasadorin Borchardt: Opozita e konsideron të lidhur me Ramën

Shqipëria

Berisha flet për ambasadorin Borchardt: Opozita e konsideron të lidhur me Ramën

Më: 23 maj 2019 Në ora: 22:22
Bernd Borchardt dhe Sali Berisha

Disa ditë më parë, në hyrjen e pallatit ku banon ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt, ishte shkruar një parrullë në shenjë proteste, “turp të të vijë”. Lidhur me këtë parrullë, ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se nuk duhet të protestohet në banesën e tij, por në zyrën e punës. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha theksoi se ky rast nuk mund të konsiderohet kërcënim jete, sikurse është deklaruar.

“E drejtë që të protestohet aty nuk është. Tek zyra e tij mund të protestohet. Tek shtëpia e kemi të huaj, e kemi atë kodin për të huajt, nuk duhet shkuar tek shtëpia e tij. Sikundër ambasadori një shpjegim për dy deklaratat duhet ta bënte. Se gjërat këtu në Shqipëri dihet si funksionojnë. Kur dëgjova se është kërcënuar jeta, besova se i kanë çuar mesazhe. Kur mora vesh se ishte për këta, këta kërcënim jete nuk janë. Por tek shtëpia e tij nuk duhej shkuar”.

Ish-Kryeministri Berisha ka folur edhe për përplasjet që ka në distancë opozita me ambasadorin Borchardt. Sipas tij, ambasadori duhet të kishte reaguar kur gjatë javëve të fundit pati raste të agresionit ndaj gazetarëve.

“Ambasadori Borchardt ka ardhur në Shqipëri pas një letre që opozita i ka bërë Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE ku opozita ka kundërshtuar emërimin e tij, duke e konsideruar ambasadorin si njeri të lidhur kokë e këmbë me Ramën. Mendoj se ambasadorit i takonte të dëshmonte paanësi. Qe një periudhë para 1 muaji, ndodhi që në 3 javë shtatë gazetarë u agresuan. Dhe unë në çdo rast e bëja nga një status për ta. Njeriu i parë që duhet të reagonte në Shqipëri nga të huaja është ambasadori Borchardt, të mbronte gazetarët. Nuk shqipëroi një fjalë, më ka bërë përshtypje jashtëzakonisht. Tani e bëri ky për miqësinë që ka me Ramën këtë heshtje? Ambasadori Borchardt pati një problem të dytë madhor, me dy deklaratat. U bë njëra deklaratë dhe pas 10 minutash u hoq njëra dhe doli tjetra”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...