Një tjetër deputet gjerman: Jo shtyrjes së zgjedhjeve, do ishte kërkesë për ndryshim Kushtetute

Shqipëria

Një tjetër deputet gjerman: Jo shtyrjes së zgjedhjeve, do ishte kërkesë për ndryshim Kushtetute

Më: 28 maj 2019 Në ora: 22:15
Mark Hauptmann

Mark Hauptmann, deputet në Parlamentin Gjerman, ka reaguar pas qëndrimit të dy deputetëve të CDU/CSU, për mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve, si zgjidhje për krizën në Shqipëri.

Dy deputetët Johann David Wadephul, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU në Parlamentin Gjerman dhe njëherësh kreu i grupit të punës për Ballkanin Perëndimor si dhe Christian Schmidt, nga CSU, reporter për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme kanë thënë se palët politike në vend duhet të ulen në dialog për të zgjidhur krizën.

Në deklaratën e tyre, ata u ndalën edhe në mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore.

Por për Mark Hauptmann, kjo kërkesë de facto mund konsiderohej si një kërkesë për ndryshim Kushtetute, e për rrjedhojë do të vinte në dyshim sovranitetin e një vendi.

Në reagimin e tij, të siguruar nga Top Channel, ai shkon më tej teksa thekson se: Nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Si grup parlamentar, ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur

Reagimi i Mark Hauptmann

“Është e vërtetë se po ndjekim me shumë shqetësim krizën e brendshme në Shqipëri. Për hir të së ardhmes Europiane të Shqipërisë, duhet të zhvillohet dialog midis qeverisë dhe opozitës, si dhe të dyja palët duhet t’i qasen njëra-tjetrës duke qenë të gatshme për kompromis për të mirën e stabilitetit demokratik.

Nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Si grup parlamentar, ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur.

De facto, kjo do të mund të konsiderohej si një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin zgjedhor të vendit. Si pasojë do të lindnin pyetje mbi sovranitetin e një shteti të huaj. Stabiliteti demokratik po ashtu përfshin detyrimin për të respektuar rregullat e legjislacionit ndërkombëtar.”

Mark Hauptmann është pjesë e Bundestagut gjerman, që nga viti 2013. Ai është anëtar i komisionit të Ekonomisë dhe Energjisë si dhe anëtar i nën komisionit për politikat Rajonale Ekonomike.

Hauptmann është raportues i grupit të tij parlamentar për buxhetin e përvitshëm të ministrisë së Ekonomisë dhe Energjisë, gjithashtu ai është pjesë e delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat