Ahmetaj sqaron situatën brenda PS-së

Shqipëria

Ahmetaj sqaron situatën brenda PS-së

Më: 30 maj 2019 Në ora: 07:28
Arben Ahmetaj

Deputeti, Arben Ahmetaj, ka deklaruar se Partia Socialiste mezi po pret zgjedhjet e 30 qershorit, duke shuar kështu çdo zë që flet për ngritje tonesh brenda partisë mes tij dhe Taulant Ballës.

Ahmetaj theksoi se ai dhe Balla kanë debate çdo ditë për shkak të punës, por nuk mund të zihen për shkak të miqësisë personale dhe vjetërsisë që kanë në parti.

“Unë të zihem me Ballën është e pamundur edhe për arsyet e miqësisë personale që kemi, por edhe për arsye të vjetërsisë në institucione që kemi është e pamundur. Debate pune me Taulantin çdo ditë bëjmë. Por në historinë e PS-së, unë dhe Taulanti kemi shumë vite aty siç ka Erion Braçe, siç ka Damiani, siç ka Ditmir, siç ka Niko, siç ka Pandi, siç ka Gramozi dhe debatet midis nesh kanë qenë të shumta për çështje, debate për ligje, debate për fiskun. I bie që me Braçen mos të flas fare se kemi bërë debate pafund për fiskun. I bie që me Damianin mos të flas fare se kemi bërë debate për energjinë pafund. Situata brenda PS-së mezi presim zgjedhjet e 30 Qershorit”, tha ish-ministri.

Por për sa i përket zgjedhjeve të 30 Qershorit, Ahmetaj u shpreh se PS po bën fushatë modeste. Ai sqaroi në rubrikën “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori, arsyet se pse mazhoranca po e bën diçka të tillë.

“Po bëjmë fushatë modeste, për respekt të qytetarëve që nuk do kenë mundësi të votojnë për shkak se opozita nuk do i lerë në respekt të tyre. Po bëjmë një fushatë modeste në respekt të situatës për të mos provokuar askënd, por themi që ne po bëjmë një grass-rout. Po bëjmë një fushatë si milingonat, aty tek fijet e barit, në respekt të qetësisë së vendit, por edhe se nuk kemi kundërshtar. Qëllimi jonë është i trefishtë. E para dhe mbi të gjitha janë standardet”, tha ish-ministri Ahmetaj.

Zgjedhje të parakohshme? Ahmetaj: Çfarë do i sugjeroja Ramës

Ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj nuk do ia sugjeronte Kryeministrit Edi Rama që të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Deklaratën deputeti i PS-së e bëri nga rubrika “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori. Sipas tij, nuk ka arsye pse të shkohet në zgjedhje të parakohshme, por duhet vazhduar me reformat

“Unë mendoj se asnjë nga ne nuk sillet si profet politik. Po të dini mendimin tim në çdo lloj kuadrati do ishte e drejta e Kryeministrit të Shqipërisë të shkonte në zgjedhje të parakohshme dhe vetëm e atij dhe jo sot. Mua po të më pyeste Kryeministri i Shqipërisë do t’i thosha “jo nuk kemi pse të vemi në zgjedhje të parakohshme, ne shkojmë në 2021”. Pse? Sepse punë ka shumë për të bërë, por është luftuar krimi, është luftuar korrupsioni siç thotë raporti.

Është baza e rekomandimit. KiE nuk rrëzon raportin, por i referohet raportit për të gjithë progresin dhe pastaj në logjikën e vet vendos nëse duhen hapur negociatat me një vend në funksion të zgjerimit apo jo. Pra nuk rrëzon raportin e KE. Unë mendoj që është në autoritetin e Kryeministrit siç ia jep Kushtetuta që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në normalitet politik. Po të më pyeste do t’i sugjeroja s’ka zgjedhje të parakohshme. Ja ku është 2021-shi. Ka shumë punë për të bërë për të përshpejtuar reformat, të dialogojë me opozitën në institucione në favor të integrimit të vendit”, tha ish-ministri.

Për Ahmetajn, kushti i opozitës për largimin e Ramës është i paplotësueshëm pasi kryeministri do largohet vetëm nëse humbet zgjedhjet.

“Nuk ka tryezë që të vish dhe të thuash “ne do vijmë kur të ikë Edi Rama”. Jo, Rama nuk do ikë. Do ikë vetëm nëse një ditë humb zgjedhjet”, tha Ahmetaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat