Ftesë për negociatat, Rama: Protestat po dëmtojnë vendin, të nisë dialogu

Shqipëria

Ftesë për negociatat, Rama: Protestat po dëmtojnë vendin, të nisë dialogu

Më: 30 maj 2019 Në ora: 15:07
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar edhe një herë që opozita të ndalë protestat dhe të ulet në tryezën e dialogut. Nga foltorja e parlamentit ai u shpreh se situata po ndikon negativisht në vendet e bashkimit evropian. Ndërsa në qëndrimin e tij për negociatat, ish ministri Ditmir Bushati theksoi se raporti duhet parë si një pasqyrë ku çdo kush do të nxjerrë përgjegjësitë e veta.

Pas marrjes së Raportit të Komisionit Evropian shumica qeverisëse ka nisur sulmin politik ndaj opozitës për imazhin që ka krijuar protesta në vendet e unionit. 

Duke folur në foltoren e Parlamentit, kryeministri Edi Rama përsëriti akuzat për mungesë vullneti nga ana e PD dhe LSI-së për të kontribuar në rrugën e integrimit Evropian. Madje edhe një herë i bëri thirrje për dialog.

Rama: Ne kemi të gjithë gatishmërinë të dialogojmë me opozitën jashtë parlamentare por nuk do të negociojmë legjitimitetin dhe detyrimin për vazhdimësinë e këtij Parlamenti.

Deputetët e opozitës së re në parlament kërkuan t’i tregojnë Ramës se prezenca e tyre do t’i sjellë një frymë të re politikës.

Hajdari: Asnjë nga liderët tanë të vendit nuk e bind dot BE. Një njeri që sillet nëpër Europë me ca reforma të paimlementuara dhe nga ana tjetër bën tangon e Serbisë, sot ndihet më i dembelosur se kurrë.

Për ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, raporti i Komisionit Evropian është një pasqyrë ku duhet të dalin para saj të gjitha palët politike dhe të mbajnë përgjegjësitë e tyre.

Bushati: Nuk ja vlen të bëjmë lojëra kukafshehti, shumica e heshtur e këtij vendi sot kërkon dialogun dhe mirëkuptimin dhe jo konfrontimin.

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, i dorëzoi rekomandimet pozitive të Brukselit kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe më pas anëtarëve të Komisionit të Integrimit.

Kreu i Delegacionit të BE i dërgoi në zyrë raportin edhe kryedemokratit Lulzim Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat