Rekomandimi pozitiv që në 2016, një arsye më shumë për opozitën dhe qytetarët për të…

Shqipëria

Rekomandimi pozitiv që në 2016, një arsye më shumë për opozitën dhe qytetarët për të…

Më: 30 maj 2019 Në ora: 15:24
Monika Kryemadhi

Një ditë pas progres raportit të KE për Shqipërinë, ka reaguar kryetareja LSI-së, Monika Kryemadhi.

Në një postim të lënë në Facebook, Kryemadhi shkruan se ky raport është një arsye më shumë për opozitën dhe gjithë qytetarët shqiptarë të mos tërhiqen në kauzën e tyre, të drejtën legjitime ku vlerat europiane fillojnë me votën e lirë dhe mundësinë për të zgjedhur.

Kryemadhi shprehet se “E vlerësoj këtë raport më shumë se çdo raport tjetër, pasi më në fund risjell në vëmendje shtyllën kryesore të ekzistencës së një shteti, ekonominë.”.

“Unë jam e bindur se të gjithë bashkë do ta fitojmë integrimin, kur të largojmë një herë e mirë, atë që sot mban peng këtë aspiratë të madhe, atë që mban peng të ardhmen e të rinjve tanë. Ne mbetemi të vendosur t’i japim vendit mundësinë e çeljes së negociatave, por jo në partneritet me krimin, por vetëm me shqiptarët!”, shprehte ndër të tjera Kryemadhi.

Postimi i plotë:

Progres Raporti i Shqipërisë është një arsye më shumë për opozitën dhe gjithë qytetarët shqiptarë të mos tërhiqen në kauzën e tyre, të drejtën legjitime ku vlerat europiane fillojnë me votën e lirë dhe mundësinë për të zgjedhur!

Rekomandimi pozitiv është pjesë e statusit të Shqipërisë që prej vitit 2016 dhe askush nuk e mendonte 3 vite më parë, se ne do të endeshim kaq gjatë, në pritjen e pafundme të çeljes së negociatave dhe zvarritjes në keqqeverisje të një qeverie që është dehur nga pushteti!

E vlerësoj këtë raport më shumë se çdo raport tjetër, pasi më në fund risjell në vëmendje shtyllën kryesore të ekzistencës së një shteti, ekonominë. Në fund të fundit integrim do të thotë një ekonomi më e fortë dhe më konkurrente, do të thotë më shumë investime dhe vende pune. Por vizioni i cunguar i një artisti nuk mundet kurrë të kuptojë nevojën ulëritëse që ka çdo familje shqiptare për të ndjerë siguri, për të ushqyer fëmijët e për t’i dhënë frymëmarrje biznesit. Për të dhe qeverinë e tij, koncesionet dhe PPP janë e vetmja alternativë, për të falimentuar shqiptarët dhe për të pastruar paratë e pista.

Unë jam e bindur se të gjithë bashkë do ta fitojmë integrimin, kur të largojmë një herë e mirë, atë që sot mban peng këtë aspiratë të madhe, atë që mban peng të ardhmen e të rinjve tanë.

LSI ka qenë dhe mbetet partia e integrimit europian. Historia e ka bërë tashmë atë pjesë të pandarë të këtij procesi që në arsyen pse u krijua, në liberalizimin e vizave dhe në statusin e vendit kandidat. Ne mbetemi të vendosur t’i japim vendit mundësinë e çeljes së negociatave, por jo në partneritet me krimin, por vetëm me shqiptarët!

Era e ndryshimit është shumë pranë dhe bashkë me të, edhe Shqipëria Europiane!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat