Qeveria e gatshme për dialog për të zgjidhur situatën

Shqipëria

Qeveria e gatshme për dialog për të zgjidhur situatën

Më: 30 maj 2019 Në ora: 18:34
Niko Peleshi

Deputeti i Partisë Socialiste, Niko Peleshi deklaroi sot se “nuk mund të ketë një marrëveshje me opozitën, kur nuk pranon të dialogojë”.

I ftuar në një studio televizive, Peleshi tha se qeveria ka qenë gjithmonë e gatshme për dialog, për të zgjidhur situatën.

“Që të arrish në një marrëveshje politike duhet të ulesh, të flasësh e të dialogosh. Nëse PS, kryetari i partisë, kryeministri nuk do të kishte qenë i gatshëm të ulet në tavolinë diskutimi, pra edhe unë do isha me opinionin që PS po i ikën një marrëveshje të mundshme. Ne e kemi përsëritur se jemi të gatshëm të dialogojmë dhe flasim. Themi që nuk jemi të gatshëm të diskutojmë mbi Kushtetutën sepse nuk e kemi ne në dorë Kushtetutën. Por nuk mund të pretendohet të ketë një marrëveshje kur njëra palë nuk pranon të ulet dhe dialogojë”, tha ai.

Sipas Peleshit, “Kushtetuta është mbi të gjitha, edhe mbi Presidentin”. “E vlerësoj deklaratën e Presidentit, i cili ofrohet siç i takon mes palëve për të bërë ç’është e mundur gjithçka ai ka në dorë për një kompromis apo zgjidhje të këtij ngërçi. Nga ana tjetër nuk besoj se mund të ketë pasur parasysh instrumente që tejkalojnë Kushtetutën. Data e zgjedhjeve është shpallur nga Presidenti në limitin e vet kushtetues”, tha Peleshi.

Ndërkohë sipas tij, nëse do të pranohej kërkesa për qeveri tranzitore kjo do të çimentonte një precedent të keq.

“Nëse do të ishte zgjedhje këtë herë, atëherë qeveria e tranzicionit të jepet nga mazhoranca sa herë që ta kërkojë opozita edhe për arsye të paarsyeshme. Nuk mendoj se nëse bëjmë diçka të ngjashme me marrëveshjen e 2017 do të dalim gjëkundi. Madje koha në tregoi se koncesioni që PS i dha opozitës duke i dhënë gjysmën e vet dhe shumë institucione, nuk besoj se një përsëritje e atij skenari do t’i shërbente situatës. Përkundrazi do të çimentonte një precedent të keq. Pretendimi i sotëm për një qeveri tranzitore është një zgjatim i asaj çka ndodhi në majin e para dy viteve. Nuk them se ishte marrëveshje e keqe, por efekti anësor i një marrëveshje të mirë sic ishte 17 maji është ky që po paguajmë sot”, tha Peleshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat