Pse nuk po hapen negociatat? Rama: KE vlerëson me subjektivitet politik

Shqipëria

Pse nuk po hapen negociatat? Rama: KE vlerëson me subjektivitet politik

Më: 30 maj 2019 Në ora: 22:20
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka ritheksuar në emisionin ‘Open’ në Top Channel se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kushtet për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian dhe kjo u konfirmua edhe nga raporti i fundit i Komisionit Evropian.

Por ndryshe nga Komisioni që vlerëson në bazë të kritereve teknike, tha Rama, Këshilli Evropian merr vendimin duke vlerësuar me subjektivitetin legjitim politik të çdo vendi anëtar të BE-së.

Gjatë debatit me gazetarët Robert Rakipllari dhe Neritan Sejamini për festimet e vitit të kaluar kur u pretendua se ishte marrë data për çeljen e negociatave, Rama tha se qershori i 2019-ës është shkruar si datë nga vetë Këshilli Evropian.

“Nuk e kam dhënë unë datën, e kanë shkruar ata që: në qershor do të japim vendimin pozitiv dhe në dhjetor do të organizojmë konferencën. Është e shkruar qershorin e ardhshëm… “, tha Rama.

Por kjo deklaratë e kryeministrit u kundërshtua nga Sejamini, i cili lexoi edhe raportin e vitit të kaluar, kur qershori i 2019-ës ishte përzgjedhur për të rivlerësuar edhe njëherë progresin e Shqipërisë në përmbushjen e 5 kushteve të vendosura nga Brukseli.

Gjithsesi, kryeministri Rama këmbënguli se Shqipëria nuk ka humbur kohë sa i përket procesit të integrimit, pavarësisht mos-hapjes zyrtare të negociatave, pasi Qeveria ka nisur procesin ‘screening’ që realizohet nga secili shtet që ndodhet në negociata me BE-në.

“Ajo që ka ndohur ‘de facto’, Shqipëria hyn në procesin ku hyjnë vendet që hapin negiociatat. Pse u bë kjo? Për të mos humbur dhe sepse të dyja vendet (Maqedonia e Veriut) ishin gati për të hapur negociatat. Ne nuk kemi humbur kohë”, tha ai.

“Unë nuk kam bërë asnjë festë, por kam dekoruar ata që kanë dhënë një kontribut të veçantë”, shtoi Rama duke komentuar dekoratat për ambasadorët shqiptarë dhënë vitin e kaluar për procesin e integrimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat