S’do ketë mbikalim, si do jetë rrethrrotullimi te sheshi “Shqiponja”

Shqipëria

S’do ketë mbikalim, si do jetë rrethrrotullimi te sheshi “Shqiponja”

Më: 31 maj 2019 Në ora: 08:45
Rrethrrotullimi te sheshi “Shqiponja”

Ndryshon projekti i rrethrrotullimit “Shqiponja”, ku nuk do të ketë mbikalim, por një nënkalim me korsi të dedikuara për autobusët, biçikletat, dhe i jep një rëndësi të veçantë gjelbërimit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, dhe arkitektë e urbanistë të tjerë, morën pjesë këtë të enjte në prezantimin e projektit të sheshit “Shqiponja”.

Në fjalën e tij prezantuese, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi propozimin e bërë dhe theksoi se kalimi nëntokë i rrethrrotullimit i jep qytetit një pamje krejt tjetër.

“Në vend që të kemi kate, që pengojnë pamjen e hyrjes së qytetit me infrastrukturë masive të betonizuar në lartësi, këto i çojmë në thellësi. Propozimi kryesor fillestar ka të bëjë me kalimin në kate nëntokësore, që nuk ndërpresin qarkullimin”, tha Veliaj.

Po ashtu, ai deklaroi se ky propozim sjell mosndarjen e qytetit me një mur artificial, i cili do të krijohej nga lidhja e unazës me rrethrrotullimin nëpërmjet këmbëve dhe murit të betonit. “Propozimi ynë shkon nga alternativa ku autostrada ngrihet në këmbë dhe në njëfarë mënyre krijon një urë artificiale midis Njësisë 7 dhe zonës së Astirit, Kasharit apo Yzberishtit, në kalimin në nivel zero, çka për këmbësorët, bizneset dhe ata që duan të shfrytëzojnë hapësirat e trotuareve apo mini-sheshet që krijohen në çdo kryqëzim, të kemi mundësi që t’i shtojmë vlerë dhe jo të krijojmë një mur ndarës, që shërben vetëm për makinat si mjet lidhës, kurse për dy komunitetet shërben si mjet ndarës”, tha Veliaj.

Projekti i rishikuar sjell po ashtu korsi të dedikuara për mjetet e transportit publik, si dhe përdoruesit e biçikletatave.

Sipas kryebashkiakut, është lajmi mirë për dikë që jeton te Astiri dhe që nuk vesh uniforma politike, është se i ka rënë ‘bingo’.

“Pra, aty kalon nyja që në 10 vitet e ardhshme do të jetë nyja më nevralgjike, me më shumë prioritet për bizneset, për tregtinë, për vendosjen strategjike të çdo ndërtese dhe të çdo shërbimi në hyrje të Tiranës. Është fakt se sot shumë prej ish-protestuesve janë përfitues jo vetëm të Planeve të Detajuara Vendore, për të cilat kanë filluar kantieret e para. Pra, nga një vend komplet i humbur ku shiteshin fenelina, llaska, tasa makinash, lavazhe, gomisteri dhe lloj-lloj improvizimesh, kaloi në një zonë ku jo vetëm merr vlerë, ku një pronar real i atij komuniteti sot do të përfitojë më shumë prej këtij zhvillimi se ç’përfitonte nga teneqet, zaptimi, kasollet dhe të gjithë improvizimet që ndodhin në këtë territor”, shtoi Veliaj.

Ndërkohë, ai vuri theksin në fjalën se askush që preket nga zhvillimi i këtij projekti nuk do të mbetet pa strehim.

Ai nënvizoi se projekti i Unazës së Madhe do të vazhdojë dhe se qyteti nuk mund të mbetet peng i një grupi të vogël njerëzish, që kanë zgjedhur t’i shërbejnë politikës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në fjalën e saj, vuri theksin te zgjidhja që i jep ky projekt si vijueshmërisë së trafikut, ashtu edhe problemit që krijohej në hyrje të qytetit.

Gjithashtu, ajo nënvizoi se projekti i rishikuar dhe futja e rrethrrotullimit në thellësi do t’i japë gjithë zonës një shesh të mirëfilltë. “E parë në anën teknike, për sa kohë sigurohet rrjedhshmëri e pandërprerë e trafikut dhe zgjidhet problemi i ngërçit që kemi pasur deri më sot, orët e gjata të pritjes nëpër semaforët apo shkëmbimi me mirëkuptim rreth “Shqiponjës”, gjithçka duket në vendin e duhur. Nga ana vizuale, kjo është Tirana, duket si një pjesë e sheshit “Skënderbej”, që është spostuar në hyrje të saj”, tha ministrja. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat