Patozi për 30 qershorin: Në këtë fushatë do shkojmë të përulur te qytetarët për t’i dëgjuar

Shqipëria

Patozi për 30 qershorin: Në këtë fushatë do shkojmë të përulur te qytetarët për t’i dëgjuar

Më: 2 qershor 2019 Në ora: 10:14
Astrit Patozi

Edhe opozita e re ka nisur fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit.

Por në ndryshim nga mitingu madhështor i socialistëve, Astrit Patozi dhe disa prej kandidatëve të tij zgjodhën që t’u drejtohen qytetarëve me një videomesazh, ku kërkuan mbështetje në 30 qershor.

“Edhe pse forcë e re politike, BINDJA vjen si një ofertë serioze për 30 qershorin, në kontrast të fortë me ”Rilindjen” e konsumuar, që kemi përballë, por edhe me të vjetrit e tjerë, që kanë ikur nga procesi”, thotë Patozi në mesazhin e shpërndarë në facebook.

“Ne kemi hyrë në këtë garë për të mundur dhe rivalizuar kandidatët e Partisë Socialiste, kudo ku marrim pjesë. Sepse nuk gjejmë asnjë ndryshim mes qeverisë së korruptuar në Tiranë dhe zgjatimeve të saj në të gjitha bashkitë e vendit.

Në këtë fushatë, nuk do t’i thërrasim kurrë qytetarët të mblidhen rreth nesh, por do të shkojmë ne të përulur tek ata për t’i dëgjuar. BINDJA DEMOKRATIKE shpall refuzimin për mitingjet acaruese të politikës së lodhur, të cilat janë, sa të sforcuara, aq edhe poshtëruese për zgjedhësit”, vazhdon ai më tej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat