Rama e nis fushatën me kopje, imiton fjalimin e Albin Kurtit

Shqipëria

Rama e nis fushatën me kopje, imiton fjalimin e Albin Kurtit

Më: 2 qershor 2019 Në ora: 10:51
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fushatën për zgjedhjet lokale të 30 qershorit me një lumë akuzash dhe krahasimesh mes qeverisë dhe dy partive më të mëdha opozitare që kanë vendosur të mos futen në zgjedhje.

Për fjalimin e tij, Rama duket se është frymëzuar nga lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti. Mënyra se si Rama është shprehur duke përdorur në formë krahasimi në mënyrë të përsëritur përemrat vetorë “ne” dhe “ata” është e njëjtë me mënyrën si Albin Kurti u shpreh në fushatën e vitit 2013 në Kosovë.

Fuqia krijuese e artistit duket se është zbehur te kryeministri, i cili ka rënë pre e klisheve dhe imitimeve që në nisje të fushatës.

Pjesë nga fjalimi i Ramës sot:

Ata kanë një problem, janë pak, ne kemi një avantazh jemi shumë. Ata janë dembelë, dhe të paaftë për të drejtuar, ne jemi punëtorë e të përkushtuar në drejtim. Ata janë frikacakë, dhe të alarmuar nga reforma në drejtësi, ne jemi guximtarë e të vendosur ta bëjmë këtë vend shtet ku drejtësia është një për të gjithë e të gjithë janë të barabartë para drejtësisë.

Pjesë nga fjalimi i Albin Kurtit në vitin 2013:

Ata bëjnë pazare. Ne bëjmë demonstrata.
Ata kanë klientë. Ne jemi qytetarë.
Ata janë pronarë. Ne jemi prodhues.
Ata janë zaptues. Ne jemi çlirues.
Ata janë imitues. Ne jemi krijues.
Ata kanë lojëra fati. Ne jemi fati që nuk luan.
Ata duan principatë. Ne duam Republikë.
Ata duan ndarje. Ne duam bashkim.
Ata duan më shumë prona. Ne duam më shumë vende pune.
Ata duan privaten. Ne duam publiken.
Ata janë materialistë. Ne jemi idealistë.
Ata janë të korruptuar. Ne jemi të pakorruptueshëm.
Ata duan të sundojnë. Ne duam të qeverisim.
Ata shpenzojnë. Ne do të investojmë.
Ata janë përfaqësimi formal me vendimmarrje informale. Ne jemi pjesëmarrja përmbajtësore me vendimmarrje demokratike.
Ata kanë xhipa. Ne duam trotuare.
Ata kanë vëllezër e kushërinj. Ne kemi shoqe dhe shokë.
Ata kanë gurthyes. Ne kemi libra.
Ata duan heshtje. Ne jemi zëri.
Ata kanë parti që ngecin. Ne jemi lëvizja që ecën.
Ata duan të frikësojnë. Ne gjithmonë guxojmë.

Ata do të humbin. Ne do të fitojmë!

Albin Kurti
1 Nëntor 2013

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat