Qendra ditore e fëmijëve/ Kavajë, zbukurohet me pikturat e artistit

Shqipëria

Qendra ditore e fëmijëve/ Kavajë, zbukurohet me pikturat e artistit

Më: 2 qershor 2019 Në ora: 17:09
Kavajë

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve e ka gjetur artistin Eljan Tanini në qendrën ditore të fëmijëve me aftësi ndryshe në Kavajë, për t’i dhuruar kësaj qendre artin e tij. Muret janë mbushur me ngjyra dhe dritë nga dora e piktorit që e gjen frymëzimin për to tek vetë krijimtaria e fëmijëve.

“Është hera e dytë që dal jashtë Tiranës që e dua shumë se është qyteti im, po vendosa që këtë 1 Qershor ta festoj me fëmijë të një aftësie ndryshe duke u dhuruar disa copëza, forma personale që interpretohen sipas dëshirës nga individët. zgjodha këtë qendër në Kavajë për të lumturuar fëmijët me ngjyrat. Desha ta festoja ndryshe këtë 1 qershor për t’ua bërë më të bukur ditën që kalojnë. Një pjesë e fëmijëve vijnë ka rrethinat e Kavajës”, thotë Eljan Tanini.

Artistin e shqetëson qëndrimi i shoqërisë ndaj personave me aftësi ndryshe dhe kërkon më shumë vëmendje për ta dhe pse nga institucionet e kujdesit social ndryshimi është i dukshëm edhe në këtë qendër.

Aktivist dhe përqafues i nismave qytetare në mbrojtje të mjedisit dhe komunitetit, Tanini vjen në Kavajë pasi ka lënë dëshminë e punës së tij edhe në dy kullat e braktisura të minierës së Prrenjasit, që kuqëlojnë nga nusepashkët fatsjellëse. Në Ditën Ndërkombëtare të fëmijëve ai ka dhe një urim-mesazh për të gjithë:

“Sa mirë që kemi fëmijët që na tregojnë se janë më të mirë se më të mëdhenjtë dhe uroj që Shqipëria të jetë një vend normal për të gjithë fëmijët”, thotë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat