Taulant Muka peticion Metës për Gjinushin: Mos e dekreto!

Shqipëria

Taulant Muka peticion Metës për Gjinushin: Mos e dekreto!

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 15:54
Taulant Muka

Rreth 500 persona kanë mbështetur peticionin për mosdekretimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave. Nisma është ndërmarrë nga studiuesi Taulant Muka, i cili shprehet se zgjedhja e Gjinushit është tregues i shkatërrimit të mëtejshëm të këtij institucioni dhe kapjes së tij nga politika.

Prej disa ditësh, ka nisur firmosja online e këtij peticioni ku i kërkohet Presidentit, Ilir Meta, të mos dekretojë kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushin.

Nisma që është ndërmarrë nga studiuesi,Taulant Muka, ka marrë mbështetjen e afro 500 personave.

Taulant Muka: Zoti Gjinushi ka zero kontribut në shkencë, nuk ka asnjë produkt shkencor për të qenë në krye të Akademisë së Shkencave dhe prandaj ju drejtova me një peticion zotit President për të ushtruar jo vetëm detyrën e tij morale në këtë rast por detyrën e tij konstitucionale për ti thënë jo emërimit në shkencë të një personi anonim dhe partiak, në krye të institucionit të Akademisë së Shkencave dhe për ti thënë jo shkatërrimit të mëtejshëm të shkencës në Shqipëri.

Për, Taulant Mukën, zgjedhja e Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave është tregues i shkatërrimit të mëtejshëm të këtij institucioni dhe kapjes së tij nga politika.

Sipas të dhënave rezulton se në 10 vitet e fundit Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka patur vetëm 22 produkte shkencore, shumë larg institucioneve simotra në rajon, për shembull Akademia e Shkencave të Serbisë numëron 1493 publikime për të njëjtën periudhë kohore.

Skënder Gjinushi u zgjodh në krye të Akademisë më 24 maj, në një garë pa kandidatë.

Por pavarësisht se ka deklaruar dorëheqjen nga funksionet drejtuese në Partinë Social Demokrate, kjo forcë politike rezulton e regjistruar në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat