Shqipëria, e angazhuar për të kryesuar OSBE-në vitin 2020

Shqipëria

Shqipëria, e angazhuar për të kryesuar OSBE-në vitin 2020

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 16:06
Pamje nga takimi

Bashkëpunimi për Kryesinë shqiptare të OSBE-së në 2020 ishte në qendër të takimit mes Ministrit në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj me Kryetarin e radhës të OSBE-së dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Europiane të Republikës Sllovake, Miroslav Lajčák, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë.

Takimi i zhvilluar pati në fokus bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së, përgatitjet për Kryesinë shqiptare të OSBE-së në vitin 2020, mbështetjen e OSBE-së për reformat në vend dhe bashkëpunimin rajonal.

Ministri në Detyrë, Cakaj shprehu vlerësime për Kryesinë sllovake të OSBE-së, për rolin dhe përpjekjet e saj konstruktive në adresimin e sfidave me të cilat përballet sot siguria dhe stabiliteti në hapësirën e OSBE-së.

Gjithashtu, ai falënderoi Ministrin Lajcak për vëmendjen dhe angazhimin e tij si Kryetar i radhës së OSBE-së ndaj rajonit tonë.

Në vijim, Ministri në detyrë, Cakaj, informoi homologun e tij lidhur me përgatitjet për Kryesinë shqiptare të OSBE-së në vitin 2020, duke konfirmuar vullnetin dhe angazhimin e Qeverisë shqiptare për përmbushjen me sukses të këtij kryesimi.

1 nga 6

 

 

     

Nga ana e tij, Kryetari aktual i OSBE-së, Lajčák, përgëzoi Ministrin në detyrë Cakaj për angazhimin e tij në përgatitjet e Shqipërisë për kryesimin e organizatës në 2020 si dhe për drejtimin Grupit të Kontaktit të Mesdheut për vitin 2019.

Gjithashtu, Ministri Lajčák, ndërsa vlerësoi rolin konstuktiv të Shqipërisë në rajon, nënvizoi se Kryesimi i OSBE-së do të kontribuojë në rritjen e profilit të vendit në arenën ndërkombëtare, duke vendosur një shembull për demokracitë e reja.

Gjatë këtij takimi, u vlerësua mbështetja dhe kontributi i OSBE-së në drejtim të realizimit të reformave të rëndësishme në vend dhe 5 prioriteteve kyçe, në kuadër të procesit të hapjes së negociatave me BE-në.

Në vijim, të dy Ministrat shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin dhe angazhimin e përbashkët të të dy vendeve si pjesë e Trojkës së OSBE-së. Gjithashtu, ata u ndalën edhe në forcimin e rolit dhe kapaciteteve të OSBE-së si dhe kontributin për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të OSBE-së, nevojën e vendosjes së dialogut dhe përgjegjësinë e përbashkët për respektimin e parimeve dhe unitetit të Organizatës, si elemente esenciale për të adresuar në mënyrë efektive sfidat aktuale dhe të ardhmen në hapësirën e OSBE-së e më gjerë.

Ministri Lajčák viziton vendin tonë në cilësinë e Kryetarit të radhës së OSBE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat