Gjonaj në Berlin: Zbatimi i reformës në drejtësi është në fazën e fundit

Shqipëria

Gjonaj në Berlin: Zbatimi i reformës në drejtësi është në fazën e fundit

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 14:26
Etilda Gjonaj

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ndodhen në një vizitë zyrtare ne Berlin.

Dy ministrat e vendit mbajtën takime me përfaqësues të Kancelarisë, Ministrisë së Brendshme dhe Bundestagut.

Bisedimet u fokusuan në arritjet e qeverisë shqiptare, Ministrisë së Drejtësisë dhe  Ministrisë së Brendshme në luftën kundër krimit të organizuar, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

Ministrja e Drejtësisë Gjonaj informoi se zbatimi i reformës në drejtësi është në fazën e fundit të zbatimit.

"Procesi gjithëpërfshirës i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve është zbatuar me përpikmëri duke përmbushur edhe qëllimet fillestare që kishte reforma në drejtësi: rritjen e profesionalizmit, zhdukjen e korrupsionit në sistem, konsolidimin e pavarësisë dhe paanësisë si dhe rikthimin e besimit të publikut në të,"- theksoi ministrja.

Gjonaj bëri me dije se edhe organet e reja të sistemit të drejtësisë kanë filluar funksionimin e tyre me kapacitete të plota dhe po ushtrojnë funksionet e tyre kushtetuese për të garantuar pavarësinë, paanësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor. 

Ndërsa theksoi se pritet plotësimi i vakancave në Gjykatën Kushtetuese, i cili gjithashtu është një proces që pritet të mbyllet së shpejti, si një proces plotësisht i pavarur dhe i paanshëm nga mazhoranca politike qeverisëse apo ndikime të tjera partiake, në Republikën e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, ministri Lleshaj vuri në dukje faktin se Shqipëria tashmë ka dalë nga harta e kultivimit të kanabisit, duke vënë para përgjegjësisë çdo përpjekje e tentativë për ringjallje të këtij fenomeni. 

Në lidhje me fenomenin e azilkërkimit të shqiptarëve në BE, Lleshaj shtoi se Shqipëria është një vend i sigurt, ku të drejtat e njeriut janë të mbrojtura

"Çdo përpjekje për të siguruar azil në vendet e BE-së, në mënyrë abuzive, duhet penguar në bashkëpunim mes autoriteteve të dy vendeve. Shqipëria vazhdon të ushtrojë kontroll të rreptë në Pikat Kufitare, por lufta e vërtetë qëndron në goditjen e rrjeteve të organizuara të trafikut njerëzor, që kamuflohen me veprimtari turistike ose mbështetje sociale,"-tha Lleshaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat