Përmirësimi i transportit publik/ Qeveria shqiptare marrëveshje me bankën gjermane KfW

Shqipëria

Përmirësimi i transportit publik/ Qeveria shqiptare marrëveshje me bankën gjermane KfW

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 10:40
Ilustrim

Qeveria Shqiptare dhe Banka Gjermane për Zhvillim KfW kanë nënshkruar Marrëveshjen e Studimit të Fizibilitetit për përmirësimin e Sistemit të Transportit Publik në Tiranë.

Qeveria Shqiptare, e përfaqësuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Znj, Anila Denaj, Kryetari i Bashkisë Tiranë Z. Erion Veliaj, dhe Drejtori i Zyrës së KfW-së në Tiranë Z. Björn Thies, nënshkruan një marrëveshje granti për studimin e fizibilitetit për përmirësimin e sistemit
të transportit publik në Tiranë.

Shuma e financimit është në vlerën e 1.67 milionë eurove. Qëllimi është vlerësimi i fizibilitetit të sistemit BRT për Tiranën, i studiuar nga ana teknike, financiare, ekonomike, mjedisore dhe sociale për korridoret e mëposhtëm: linja jug-perëndimore Kombinat-Kinostudio, Unaza,
Tirana e Re.

Në të njëjtën kohë do të kryhet përditësimi i të dhënave për parashikimin e kërkesës së mobilitetit. Po ashtu, studimi do të përgatisë bazat për implementimin e mëtejshëm nga ana e bashkisë Tiranë të sistemit BRT.

Në përgjithësi projekti ka si qëllim kryesor përmirësimin e shërbimeve të transportit urban në Tiranë me kosto të ulët, transport të sigurtë dhe miqësor ndaj mjedisit dhe klimës.

KfW është një nga bankat për zhvillim lider në botë. Me eksperiencën e saj shumëvjeçare KfW është e angazhuar që në emër të Republikës Federale Gjermane si edhe të Landeve Federale Gjermane të përmirësojë kushtet ekonomike, sociale, ekologjike si edhe kushtet e jetesës në
mbarë botën.

Në Shqipëri, KfW-ja zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988.

Që nga ai vit Qeveria Gjermane ka angazhuar një shume totale prej mbi një miliardë eurosh duke u bërë kështu donatori më i rëndësishëm bilateral në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat