Negociatat për BE, Holanda: Shqipëria ka rrugë të gjatë

Shqipëria

Negociatat për BE, Holanda: Shqipëria ka rrugë të gjatë

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 20:10
BE, Holanda

Kabineti holandez duket po e mban të mbyllur derën e BE-së për Shqipërinë.

Qeveria nuk është e interesuar në nisjen e negociatave të anëtarësimit të këtij vendi në Bashkimin Evropian, por ndërkohë e le mundësinë të hapur për Maqedoninë e Veriut, thotë shtypi holandez.

Mediat atje citojnë ministrin e Jashtëm, Stef Blok ta ketë bërë këtë deklaratë përpara Dhomës së Ulët të Parlamentit.

“Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Janë hedhur ca hapa pozitive, por nuk janë ende aty ku duhet. Ka akoma gjëra për t’u bërë në fushën e sundimit të ligjit dhe të luftës kundër korrupsionit”, ka qenë reagimi i prerë i shefit të diplomacisë holandeze.

Komisioni Evropian beson se BE-ja duhet t’i çelë bisedimet e anëtarësimit me të dy këto vende, thuhet në artikull. Sipas komisionarit Johannes Hahn, reformat janë implementuar dhe për këto përpjekje shtetet në fjalë duhen shpërblyer.

Ligjvënësit në sallë kanë dashur të dëgjojnë nga ministri një “po” ose “jo” mbi zgjerimin me dy vendet në fjalë, por angazhimi i tij, sipas Pieter Omtzigt nga CDA, nuk ka qenë i qartë.

Dhoma e Ulët e Parlamentit të Holandës mbetet e përçarë kur vjen fjala te shtrirja e bllokut. D66, partnere e vogël e koalicionit qeverisës, PvdA dhe GroenLinks duan që negociatat të çelen si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë, ndërsa CDA, e cila është gjithashtu pjesë e qeverisë, beson se Shqipëria nuk është ende gati.

Ndonëse mbetet më pozitive për Shkupin, ajo sërish nuk ka dalë me një pozicion të qartë mbi këtë temë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat