Meta dhe opozita reagojnë për publikimin e përgjimeve ndaj grupit të Shijakut

Shqipëria

Meta dhe opozita reagojnë për publikimin e përgjimeve ndaj grupit të Shijakut

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 00:17
Ilir Meta

Në Tiranë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi të enjten në mbrëmje se po ndjek me vëmendje dhe shqetësim të thellë publikimet e gazetës gjermane “Bild”, që përmbajnë biseda telefonike gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 mes disa zyrtarë publikë në Durrës dhe persona me precedentë kriminalë, po ashtu edhe me urdhërin e prokurorisë, që kërkon ndalimin e publikimit të tyre në media.

“Nxjerrja e një urdhëri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike” - shënoi presidenti Meta në reagimin e tij. Ai theksoi se Kushtetuta mbron të drejtën themelore të qytetarëve për informim, se liria e shprehjes, shtypit, radios dhe televizionit është e garantuar dhe se ndalon censurën paraprake të mediave.

“Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur” - theksoi Presidenti Meta. Ai nxiti prokurorinë të hetojë me përparësi dhe profesionalizëm dosjen e bërë publike, si dhe çdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve.

“Çdo vonesë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës nga ana e prokurorisë nuk i shërben interesit publik të përgjithshëm” - shtoi zoti Meta. Ai nxiti gjithë gazetarët kurajozë të denoncojnë fakte e të dhënave kriminale.

Qarqet politike në Tiranë trajtuan edhe sot me shqetësim bisedat telefonike mes drejtuesve kryesorë të Partisë Socialiste dhe bashkive të Durrësit e Shijakut me pjesëtarë të grupeve kriminale gjatë fushatës zgjedhore së dy vjetëve më parë, të publikuara nga gazeta gjermane Bild. Një nga personat më të rëndësishëm të botës së krimit në rajonin e Durrësit është regjistruar në 6 biseda me kryetarin e bashkisë, personi më i rëndësishëm i PS-së në qytetin e dytë më të madh të Shqipërisë, Vangjush Dako, si dhe me drejtues të tjerë partiakë e administrativë për të ndikuar në zgjedhjet e fundit me presione, dhunë, kërcënime dhe blerje votash. Për Partinë Demokratike, kryeministri Rama duhet të japë dorëheqjen, sepse materialet e publikuara përbëjnë një skandal, që nxjerr në dritë mekanizmin e blerjes së votave përmes grupeve kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogave në favor të Partisë Socialiste.

“Kryeministri ilegjitim, i ardhur në pushtet me votat e blera nga krimi, siç konfirmuan edhe përgjimet e fundit të gazetës Bild, jo vetëm nuk po e konsideron dorëheqjen, por është vënë në mbrojtje të Vangjush Dakos, duke arritur deri tek kërcënimi publik i kujtdo që nxjerr sekretin e bashkëpunimit me krimin për blerjen e votave. Me apo pa dorëheqje, Edi Ramën nuk e beson më askush. Edhe ata që besonin sadopak tek kryeministri mafioz, sot janë të qartë së gjithçka ka ndodhur me bekimin e tij” - tha Enkelejd Alibeaj i Partisë Demokratike. 
Sipas PD, kryeministri Rama nuk e njeh institutionin e dorëheqjes, të cilën duhet ta kishte dhënë edhe shumë herë të tjera, kur Shqipëria u mbush me drogë, kur bëri deputetë dhe bashkiakë persona me të dhëna kriminale, kur mbështeti dy ministra të brendshëm të lidhur me persona nga bota e krimit, apo kur u zbuluan afera korruptive me koncensionet dhe infrastrukturën.

Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim u deklarua sot po aq e shqetësuar mbi bisedat telefonike të publikuara nga gazeta Bild. Nënkryetari i saj, Luan Rama, i quajti ato prova të një krimi shtetëror, vetëm maja e ajsbergut të kësaj dukurie kriminale të shtrirë në gjithë Shqipërinë.

“Zbardhja e të vërtetës përmes publikimit të disa përgjimeve që lidhen me atë që është njohur si Dosja 339, në fakt është vetëm maja e aisbergut të krimit shtetëror! E vërteta nuk mund të mbulohet më, nuk mund të prangoset dhe as nuk mund të vritet! Dosja 339 nga ku janë marrë përgjimet që provojnë rolin prej shërbetori të qeverisë ndaj krimit, nuk është e vetmja. Por është e mjaftueshme për të kuptuar se si krimi i organizuar përmes krimit elektoral është shndërruar në krim shtetëror” - tha Luan Rama i LSI-së.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Partisë Socialiste po i japin më shumë rëndësi nxjerrjes në media të bisedave të përgjuara, duke e quajtur një shkelje ligjore që lidhet me sekretin shtetëror të hetimeve. Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në një zonë të goditur nga tërmeti midis Korcs dhe Ersekës i shpërfilli dhe i la pa përgjigje pyetjet për këto përgjime të publikuara nga gazeta Bild. Prokuroria publikoi dje një deklaratë, ku njoftoi hetime shtesë për të gjithë ata persona që kanë lejuar publikimin e këtyre telefonatave të regjistruara dy vjet më parë, por që mbetën brenda dosjes 339, së bashku me afro 700 disqe të tjera ende të pazbardhura nga hetuesit, për të cilët ajo dosje është si një patate të nxehtë, që nuk djeg vetëm duart e tyre.

Disa përgjime pjesë e dosjes hetimore për grupin e vëllezërve Avdylaj, të dyshuar për aktivitet në fushën e drogës, e të botuara gazetën gjermane Bild, kanë rikthyer dhe një herë temën e lidhjeve të zyrtarëve socialist në Durrës me elementë të krimit dhe ndkimin e këtyre të fundit në fushatën zgjedhore të vitit 2017. Përgjimet vënë në dukje lidhjet direkte që Astrit Avdylaj, kreu i grupit, mbante me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, por dhe me kandidatin aktual të Partisë socialiste për Bashkinë e Shijakut Elton Arban, si dhe angazhimin e Avdylajt për të siguruar vota për Partinë socialiste dhe një prej kandidatëve të saj, deputetin aktual Ilir Ndraxhi.

Pas publikimeve të përgjimeve të para, në mënyrë të përsëritur kryetari aktual i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka mohuar njohjen tij me drejtuesit e grupit të Avdulajve, duke deklaruar se gjatë një fushate zgedhore ai takohet me shumë njerëz. Në të njejten linjë, atij i ka dalë në mbrojtje dhe kryeministri Edi Rama, duke folur gjithashtu për kontakte rastësore gjatë aktiviteteve elektorale. Por publikimi nga gazeta gjermane Bild, i bisedave të përgjuara nga Prokuroria shqiptare, dëshmojnë se zoti Dako kishte shumë më tepër se një njohje rastësore me Astrit Avdulajn, madje dhe me një ish të dënuar për vrasje Vath Alla. Madje Avdulaj rezulton të ishte në dijeni dhe të takimeve që Dako zhvillonte me kryeministrin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat