Akuzat për ndotje, Ministria e Mjedisit: TITAN, sipas standardeve europiane

Shqipëria

Akuzat për ndotje, Ministria e Mjedisit: TITAN, sipas standardeve europiane

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 10:46
Ilustrim

Fabrika e çimentos TITAN në Krujë është vënë në shënjestër të akuzave për ndotje mjedisore me pasoja të rënda për shëndetin. Lidhur me këto shqetësime dhe këtë debat të rihapur në rrjetet sociale, gazeta kontaktoi me drejtorin e Informacionit dhe Statistikave në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Neritan Postoli.

Zyrtarisht na komunikohet se kompania “Antea Cement Sh.a.”, pjesë e grupit TITAN, ka qenë e rregullt në përmbushjen e detyrimeve ligjore. Për më tepër, nga raportet e vetëmonitorimit dhe regjistrat vjetorë të shkarkimeve, kjo kompani ka qenë brenda normave europiane të mjedisit. Të dhënat, sipas Postolit, gjenden edhe në website-n e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe mund të verifikohen lehtësisht.

“Fabrika e çimentos ‘Antea Cement Sh.a.’ është shumë e rregullt dhe profesionale në raport me detyrimet ndaj nesh, duke raportuar në mënyrë periodike, sikundër e parashikon edhe ligji. U referohem këtu raporteve të vetëmonitorimit që ka në regjistrat e shkarkimeve vjetore. Në këtë kontekst, fabrika ka përmbushur me përpikëri të gjitha detyrimet. Të dhënat, po ashtu, gjenden edhe online në webin e agjencisë, kështu që mund të aksesohen nga të gjithë. Ne jemi të hapur për publikun dhe kushdo mund t’i verifikojë këto të dhëna në website”, thotë drejtori i Informacionit dhe Statistikave në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, i cili vë në dukje, po ashtu, se nga raportet e paraqitura, aktiviteti i fabrikës është brenda normave të lejuara.

“Në ato raporte monitorime apo regjistrat e shkarkimeve që subjekti ka sjellë, përgjithësisht kanë qenë brenda normave europiane të mjedisit”. Të dhënat e depozituara nga kompania, sipas Postolit, i përcillen më tej edhe Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit.

“Në raportet e vetëmonitorimit dhe regjistrat e shkarkimeve njoftojmë edhe Inspektoratin e Mjedisit për të menaxhuar këto të dhëna”. Për vitin 2019, raportet e kontrollit dorëzohen brenda 6-mujorit të parë dhe bëhen publike në fund të muajit shkurt.

“Raportet janë vjetore, ndërsa raportet e monitorimit janë dy apo tri herë në vit. Për këtë vit, raporti i regjistrit të shkarkimit del në fund të muajit shtator. Ato dorëzohen te ne brenda 6- mujorit të parë të vitit dhe në fund të shtatorit ne bëjmë kontrollin e shifrave”, pohon më tej drejtori i Informacionit dhe Statistikave në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Neritan Postoli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat