BBC: Protestat, Presidenti i Shqipërisë anulon zgjedhjet vendore

Shqipëria

BBC: Protestat, Presidenti i Shqipërisë anulon zgjedhjet vendore

Më: 9 qershor 2019 Në ora: 09:22
BBC

Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë dje lajmit se kreu i shtetit shqiptar ka anuluar zgjedhjet vendore, pas protestave disamujore të opozitës. BBC në një artikull me titull “Presidenti i Shqipërisë anulon zgjedhjet vendore në mes të protestave”, shkruan:

“Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka anuluar zgjedhjet vendore pas disa muajsh protestash antiqeveritare. Z. Meta tha se situata politike në Shqipëri nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta, të planifikuara për t’u mbajtur më 30 qershor.

Ky lajm erdhi pak para se protestuesit, disa prej të cilëve kishin hedhur bomba tymuese dhe fishekzjarre jashtë godinës së parlamentit në kryeqytetin e vendit Tiranë, të shpërndaheshin nga Policia me gaz lotsjellës.

Protestuesit kërkojnë që kryeministri Edi Rama të largohet. Grupet opozitare e akuzojnë atë për mashtrim zgjedhor dhe korrupsion dhe kanë bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme. Ata gjithashtu kërkojnë krijimin e një qeverie tranzitore dhe kanë refuzuar të negociojnë me kryeministrin.

Lulzim Basha, lideri i Partisë Demokratike opozitare, i ka bërë thirrje protestuesve të vazhdojnë derisa z. Rama të japë dorëheqjen. Ai u tha mijëra mbështetësve në Tiranë se vendimi i Presidentit për anulimin e zgjedhjeve ishte “rezultati i parë i betejës sonë kundër Edi Ramës”. Partitë opozitare i kishin bojkotuar zgjedhjet.

Megjithatë, z. Rama, që e ka qeverisur vendin që nga 2013, tha më vonë se zgjedhjet vendore nuk do të anullohen.

Bashkësia ndërkombëtare  ka bërë thirrje që partitë politike shqiptare të qëndrojnë larg dhunës dhe të hapin dialogun.

Shumë figura, përfshirë Presidentin Meta kanë thënë se ndarja politike e vazhdueshme kërcënon aspiratën e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.

Në një deklaratë të shtunën, Presidenti Meta u bëri thirrje liderëve të opozitës të zhvillojnë protesta në mënyrë krejtësisht paqesore.

Shtete anëtare të BR do të votojnë në javët e ardhshme, nëse do të hapin negociatat me këtë shtet ballkanik,” përfundon BB.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat