Ulsi Manja: Presidenti Meta vepron me logjikë “partizane”

Shqipëria

Ulsi Manja: Presidenti Meta vepron me logjikë “partizane”

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 16:36
Ulsi Manja

Sikurse dhe pritej java nisi me zhvillime intensive politike. Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri sot publike të gjitha argumentet ligjor ku ka mbështetur vendimin për anulimin e zgjedhjeve lokale më 30 Qershor. Nga ana tjetër mazhoranca u kundërpërgjigj duke paralajmëruar nismën për shkarkimin e Ilir Meta nga detyra e Presidentit të Republikës.

Për të folur më tepër rreth kësaj situate i ftuar në studion e “Top Talk” ka qenë kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Ai e cilësou anti-Kushtetues vendimin e Metës për shtyrjen e zgjedhjeve, duke theksuar se pavarësisht kësaj, ky vendim mbetet juridikisht i pazbatueshëm, e se zgjedhjet do të vijojnë të mbahen më 30 qershor.

“Është një akt nul, pasi nuk ka asnjë pasojë juridike. Presidenti ka 12 kompetenca, një prej tyre caktimi i datës së zgjedhjeve. Por në asnjë nen të saj nuk u jepet kompetencë për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve”, duke shtuar se me këtë vendim Meta i ka dhënë vetes kompetencat e një Presidenti të zgjedhur nga populli, ndërkohë që në nenin 1 të Kushtetutës, Shqipëria përcaktohet si Republikë Parlamentare.

I pyetur se nëse Presidenti Meta mund ta shpërbëjë Parlamentin, Ulsi Manja u shpreh se tashmë nga ai mund të pritet gjithçka, pasi po vepron me logjikë “partizane”, duke mbajtur qëndrim të njëanshëm.

“Me këtë veprim që Meta bërë zhdekretoi vetveten. Në këtë logjikë që nuk është kushtetuese, Presidenti mund të bëjë gjithçka. Ai ka marrë anë dhe mund të bëjë çdo gjë”, u shpreh Manja.

Por sipas tij, edhe nëse Meta mund të marrë vendim për shpërbërjen e Paralmentit, Kuvendi do të vijojë normalisht punën pasi një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm në dy raste.

“Fatmirësisht kushtetutë-bërësit janë kujdesur që në Nenin 1 që ta cilësojnë Shqipërinë si Republikë Parlamentare. Kushtetua ka parashikuar vetëm dy raste ku mund të shpërbëhet Parlamenti: Kur nuk zgjidhet Presidenti dhe kur nuk formohet dot qeveria. Por nëse Presidenti del jashtë kontureve Kushtetuae, mund të ndërmarrë çdo lloj akti” tha Manja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat