Duke nisur nga kjo e hënë nisin aplikimet për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe.
Prindërit kanë katër ditë kohë për të kryer aplikimin, afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit është data 14 qershor.
Çdo vit për çerdhet e kryeqytetit aplikimet kanë qënë më të larta se sa kapacitetet pritëse që shkojnë 3 mijë fëmijë për një ditë.
Në këtë mënyrë Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve ka përcaktuar kategoritë që do të kenë prioritet në regjistrim si fëmijët me statusin e jetimit, me aftësi ndryshe, fëmijë të familjeve ku kujdestari ligjor ka statusin e jetimit apo fëmijë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Sa i përket dokumentacionit nevojitet certifikate personale e fëmijës, certifikatë familjare, vërtetim pune nga prindërit si dhe vërtetim banimi.
Ndërkohë për fëmijët me aftësi ndryshe duhet gjithashtu edhe një raport mjeko-ligjor.
Dokumentacioni përkatës duhet të dorëzohet në çerdhen pranë vendbanimit nga ora 9 deri në orën 14.