Veliaj: Mandatin tjetër ndërtojmë Pallatin e Sportit për lojërat me dorë

Shqipëria

Veliaj: Mandatin tjetër ndërtojmë Pallatin e Sportit për lojërat me dorë

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 12:43
Pamje nga takimi

Ndërtimi i Parkut Olimpik është një nga premtimet e mbajtura të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mandatin e tij të parë.

Por, ambicia për t’i shërbyer sportit dhe nxitur të rinjtë, kryesisht klubet profesioniste, që të arrijnë rezultate që nderojnë qytetin dhe vendin, është edhe më e madhe. Ndaj, krahas ndërtimit të Parkut Olimpik, kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e 30 Qershorit, Erion Veliaj ka premtuar edhe ndërtimin e një pallati sporti të posaçëm për lojërat me dorë.

Ai priti në një takim vajzat e skuadrës së basketbollit “Tirana”, të cilat u shpallën kampione pas 20 vitesh, ndërsa theksoi se për të nxitur zhvillimin e sportit dhe arritjen e sukseseve të tjera, në mandatin e dytë si kryetar bashkie, do të bëhet e mundur edhe ndërtimi i një pallati të ri sporti për lojërat individuale apo edhe për disiplina të tilla sportive, si volejbolli apo basketbolli, ku dhe tradita është më e vjetër.

“Ajo që besoj bëmë me Parkun Olimpik duhet të jetë tani steka se si duhet të jenë mjediset e reja sportive. Ne kemi një koncept, do ta prezantojmë edhe këto ditë, të Pallatit të ri të Sportit. Vërtet Parku Olimpik është mirë për këto lloj aktivitetesh, por nëse do duhen mega aktivitete, do të duhet të kemi një Pallat të mirë Sporti, që të ketë 4- 5 mijë vetë, parkim nëntokësor”, tha Veliaj. Më tej, ai tha se bashkia e Tiranës ka bërë një sërë investimesh në fushën e sportit, duke rikonstruktuar dhe hapur palestrat e shkollave për të gjithë atë që duan të ushtrojnë aktivitete sportive.

Ai gjithashtu shtoi se si në çdo fushë, edhe në sport është e rëndësishme që investimet të shkojnë fillimisht aty ku edhe rezultatet janë të mundshme për t’u arritur.

Trajneri i ekipit të klubit të basketbollit “Tirana”, Erdal Borova, si fitues i kampionatit të femrave, e vlerësoi këtë trotrofe si shumë të çmuar, për faktin se prej 20 vitesh “Tirana” nuk e merrte një titull kampion, pas një dominimi të Vlorës, Gjirokastrës dhe Fierit. Për Erta Bujarin, kapitenen e skuadrës së basketbollit “Tirana” fitorja e këtij trofeu është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm se vjen pas një kohe të gjatë pa këtë titull, por edhe sepse shpërblen edhe mundin dhe sakrificën e vajzave të kësaj skuadre.

Presidenti i Klubit, Arbër Kadia tha se tashmë i takon Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera të vendit që t’i japin sportit vëmendje më të madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat