Ministri për Diasporën, Pandeli Majko nga foltorja e Parlamentit tha se zgjedhjet pa opozitën rrezikojnë degradimin e regjimit. Ai sqaroi se kriza politika ka ardhur si pasojë e një politike opozitare që kërkon o të gjitha o asgjë.
Majko tha se ishte dakord politikisht me Presidentin Meta, por nga ana juridike e kundërshtoi atë.
Pandeli Majko: Përpjekja e Presidentit nuk mund të dalë nga konteksti i krizës politike në vend. Ai ka arsyetuar se nuk mund të ketë zgjedhje kur një pjesë e opozitës nuk merr pjesë në të. Politikisht nuk e kontestoj, por juridikisht veprimi i Presidentit do kishte kuptim po të ndodhte më parë në periudhën e regjistrimit të partive në zgjedhje. Presidenti ka ushtruar një të drejtë, të cilën nuk e gjen të shkruajtur në kushtetutë. Teknikisht zgjedhjet pa opozitën nuk mund të konsiderohen normale dhe ne rrezikojmë degradimin e regjimit. Kjo situatë nuk është produkt, por pasojë e vendimeve të opozitës jashtë kuvendit. Ajo e vlerësoi bojkotin si mekanizëm për të shkuar në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Kriza aktuale është pasojë e një politike opozitare që vepron sipas parimit, të gjithë ose asgjë. Ky është gabim i rëndë.