Gjiknuri: Në 30 Qershor votohet! Më pas, dialog për të zgjidhur krizën

Shqipëria

Gjiknuri: Në 30 Qershor votohet! Më pas, dialog për të zgjidhur krizën

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 18:47
Damian Gjiknuri

Deputeti Damian Gjiknuri, njëkohësisht Sekretar për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste deklaroi sot gjatë fjalës së mbajtur në seancën e Kuvendit se akti i Presidentit për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve nuk ka vlerë juridike, por thjesht krijon amulli dhe lë të hapur krizën politike.

“Partisë Socialiste dhe qeverisë nuk i mbetet tjetër veçse të vazhdojë me datën 30 Qershor. A është kjo zgjidhja më e mirë? Është zgjidhja më e mirë ligjore e mbetur për aq kohë sa nuk ka njëmarrëveshje politike, siç kanë qenë dhe precedentët e mëparshëm. Zgjedhjet në 30 Qershor do të mbahen dhe ligjërisht asgjë nuk e ndalon. Mazhoranca është e detyruar që të shkojë drejt kësaj date për një arsye të thjeshtë, për të ruajtur rendin kushtetues dhe ligjor”, theksoi Gjiknuri.

Data 30, vijoi Gjiknuri, do të sanksionojë përfundimisht një gjë, që asnjë President nuk do të tentojë më të bëjë akte të tilla e të kthehet aktor politik por duhet të qëndrojë mbi palët.

“Do të sanksionojë që asnjë precedent dhune nga rruga nuk mund ti imponohet një mazhorance për rregullat për të cilat janë marrë vesh. Do të shërbejë si një mësim i mirë dhe një ditë gjykimi edhe për ata njerëz të cilët kërkonin të imponoheshin me dhunë”, nënvizoi Gjiknuri.

Por çfarë pritet të ndodhë pas 30 Qershorit? Gjiknuri vlerëson se klasa politike duhet të shkojë drejt një dialogu dhe zgjidhjeje përfundimtare për krizën.

“Data 30 do të kalojë dhe vendi prapë ka pikëpyetje. Unë jam i bindur se klasa politike natyrshëm duhet të gjejë një zgjidhje politike për këtë krizë që ka zënë vendin. Kriza është politike. Fatkeqësisht, Shqipëria ka kohë që nuk flet më për qeverisje, për politikbërje e shumë probleme të cilat shqetësojnë shqiptarët. Aq më tepër që ne jemi përpara hapjes së negociatave dhe shqiptarët duan të dinë e të kenë një datë për këtë. Problemi i tyre nuk do të zgjidhet më datën 30. Jam i bindur se ajo shprehja e famshme e Churchill, ‘Fati i shumë njerëzve varet nga vendimarrja e pak njerëzve’ është sot më konkrete se kurrë. Është momenti që fati i shumë shqiptarëve që varet nga vendimmarrjet e pak njerëzve të bëhet realitet. Na takon ne, ata pak njerëz që bëjmë politikë që tu japim një mundësi e të ardhme shqiptarëve duke e zgjidhur këtë krizë. 30 Qershori është diçka që do të vendosë gjykimin për veprimet e gabuara të disave. Pas 30 Qershorit vendi kërkon një përspektivë dhe jam i bindur se Partia Socialiste ka shprehur gatishmërinë për dialog e për ti dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj krize”, u shpreh Gjiknuri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat