PDIU i bashkohet PD dhe LSI, këto janë 22 bashkitë ku mund të pengohen zgjedhjet e 30 qershorit

Shqipëria

PDIU i bashkohet PD dhe LSI, këto janë 22 bashkitë ku mund të pengohen zgjedhjet e 30 qershorit

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 19:11
PDIU i bashkohet PD dhe LSI

Partia Drejtësi për Integrim dhe Unitet i është bashkuar dy aleatëve të tjerë në opozitë, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke mos njohur 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale në dy bashkitë që drejtohen prej saj, Rrogozhinë dhe Peqin.

Këto dy bashki, ashtu si bashkitë e drejtuara nga PD dhe LSI, i kërkojnë KQZ-së që të lirojë ambientet e zëna dhe të heqë listat e zgjedhësve të afishuara në institucione.

Përveç Rrogozhinës dhe Peqinit, këtij vendimi i janë bashkuar edhe bashkitë e Prrenjasit, Skraparit, Beratit, Gjirokastrës dhe Delvinës, të drejtuara të gjitha nga LSI.

Sa i përket bashkive të PD-së, nuk ka një konfirmim përfundimtar nëse shfuqizimi i 30 qershorit është njohur në të 15 bashkitë e drejtuara nga kjo forcë politike.

PD drejton në Shkodër, Kamëz, Lezhë, Pogradec, Kukës, Vau i Dejës, Devoll, Mallakastër, Mat, Vorë, Selenicë, Tropojë, Përmet, Klos, Dropull.

Nëse të gjitha bashkitë e PD-së do i bashkohen këtij vendimi, numri i bashkive që nuk njohin 30 qershorin do shkonte në 22.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar kryebashkiakët e djathtë dhe ata të LSI-së që të mos ndjekin kryetarët e tyre, por të japin llogari përpara qytetarëve. Ndërsa nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, gjatë intervistës në ‘Top Talk’, tha se kryebashkiakët që nuk pranojnë të organizojnë zgjedhjet në 30 qershor do të ndiqen penalisht.

Presidenti Ilir Meta shfuqizoi 30 qershorin pasi, siç tha ai, vendi po shkonte drejt një përplasje të rrezikshme. Ai ende nuk ka dekretuar një datë të re për zgjedhjet lokale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat