Koncerti i bamirësisë “Të gjithë për Korçën”, për të dëmtuarit nga tërmeti

Shqipëria

Koncerti i bamirësisë “Të gjithë për Korçën”, për të dëmtuarit nga tërmeti

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 22:00
Koncerti i bamirësisë “Të gjithë për Korçën”

Skena po përgatitej që pasdite herët. Koncerti “Të gjithë për Korçën” ishte lajmëruar për banorët e atyshëm, por edhe të gjithë Shqipërisë me shpresën që çdokush që e ndjente të jepte ndihmën e vet për dëmet e tërmeteve të fundit.

Hashtagu “solidaritet” ishte i dukshëm. Me bluzat me këtë mbishkrim inisiatorët Endri dhe Stefi çelën koncertin duke pasuar me plot 20 emra që pranuan ftesën e tyre.

Eneda Tarifa, Laxarela, Eli Fara, Mateus Frroku, Anxhela Peristeri, Aurel Thëllimi, Aleksandër Gjoka etj. Pesë kuti transparente shpejt u mbushën me ndihmën e parë që njerëzit pjesëmarrës aty dhanë.

“Patjetër do kontribuojmë. Është kënaqësi që na i mundësuat këtë koncert. Me kontributet tona të ndihmojmë sado pak. Mendoj që shumica kanë një zemër shumë të mirë dhe kanë ndihmuar shumë. Unë jam banore e Korçës dhe më vjen mirë që në qytetin tim bëhen koncerte të tilla, jo vetëm për argëtimin e banorëve të Korçës, por edhe për një kauzë bamirësie”, janë shprehur qytetarët.

Gjithçka po shkonte edhe përtej parashikimit. Sheshi u tej mbush e mikpritësit nuk mund të mos ishin të lumtur.

“Kam takuar shumë njerëz që kanë ardhur nga Struga, nga Tetova nga Gjakova. Me të vërtetë jam shumë i emocionuar. Përfundimisht u binda që humanizmi korçar ekziston”, ka thënë këngëtari Endri Prifti.

“Është shumë bukur. Por është shumë emocionuese kur mendon për çfarë realizohet, për çfarë bëhet”, u shpreh Zamira Kita.

Të gjithë mund të kontribuojmë, duke bërë që të lehtësohet pak dhimbja, por edhe dëmtimet e banorëve të Floqit, por edhe të fshatrave të tjera që u prekën nga tërmeti këtu në Korçë. Drejtojuni tre llogarive bankare, për pak solidaritet, nën moton “Të gjithë për Korçën”.

Publiku këndoi së bashku me Elin këngë të Korçës.

“Faleminderit shumë publikut. Njerëzve pafund që kanë ardhur. Uroj të jenë mbledhur sa më shumë ndihma për nismën që është marrë. Një gëzim për artistët tanë korçarë Endrin dhe Stefin. Publiku këndoi bashkë me mua. Si korçare që janë sigurisht s’do të ndodhte ndryshe.”

Duete sollën edhe këngëtarët e tjerë korçarë. Për ata të qenit këtu është më e pakta që mund të bënin.

“Të gjitha kontributet që mund të japim për njerëzit në nevojë janë shumë të mira dhe sidomos kur bëhet fjalë për qytetin e Korçës, që është qyteti jonë i lindjes”,ka thënë Anxhela Peristeri.

Mateus Frroku tha për gazetaren e Top Channel se: “I takonte Korçës sot që të ishte qyteti i fisnikërisë dhe bujarisë për të dhuruar të gjithë ndihmat për familjet në nevojë”.

Në afërsi të mesnatës mikpritësit ishin ata që mbyllën këtë koncert maratonë, duke e ditur që kjo ndihmë do të thotë shumë për këdo që është në nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat