Vrasja e administratorit në Kotë, dëshmia e tre të arresturve në gjykatë

Shqipëria

Vrasja e administratorit në Kotë, dëshmia e tre të arresturve në gjykatë

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 14:46
Te arrestuarit

Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë vendosi sot masën e sigurisë "Arrest me burg" për tre shtetasit e arrestuar për ngjarjen e ndodhur në fshatin Mavrovë,ku mbeti i vrarë Kryetari i Njësisë Administrative, Kotë Argjil Gjoka. 

Seanca gjyqësore është drejtuar nga gjyqtari Hektor Sinanaj, ndërsa prokuror i çështjes ka qënë Klodian Llaho.

Arif, Jace dhe Namik Bejtaj, akuzohen për dy vepra penale 'Vrasje në rrethana cilësuese"  dhe " Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake". 

Në kërkim për vrasjen është edhe Mersin Bejtaj 32 vjeç, i cili dyshohet se është autori i vrasjes. 

Në ngjarjen e ndodhur në fshatin Mavrovë mbeti i plagosur edhe Arif Bejtaj 19 vjeç , një nga tre personat e arrestuar. 

Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa të tre të arrestuarit kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me ngjarjen. 

Namik dhe Jace Bejtaj kanë deklaruar gjatë seancës për masën e sigurisë se kanë shkuar me vonesë në vendin e ngjarjes, kur gjithçka kishte ndodhur, ndërsa Arif Bejtaj ka deklaruar para trupit gjykues se ka shkuar në vendngjarje, në momentin e përleshjes, ku edhe ka marrë një plumb në krah, duke konfirmuar në njëfarë mënyre se Mersin Bejtaj është autori i ngjarjes. 

Trupi gjykues pasi dëgjoi prokurorinë, por edhe palën mbrojtëse, si edhe deklaratat e tre të arrestuarve vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg deri në përfundim të hetimeve për ngjarjen  e rëndë”.

Vrasja

Ngjarja ka ndodhur në datë 11 qershor në zonën e quajtur Petë, në fshatin Mavrovë,ndërsa katër personat sipas policisë, Arif dhe Namik Jace dhe i shpalluri në kërkim Mersin Bejtaj janë përfshirë në një përplasje me dy vëllezerit Osmënaj. 

Këta janë punonjës edhe të njësisë administrative Kotë, ndërsa Argjil Gjoka ndodhej në zonë, për hapjen e një rruge, punë që kryhej nga Njësia Administrative Kotë e Bashkisë Selenicë. 

Mersin Bejtaj sipas policisë ka patur sherr me dy vëllezërit Osmënaj, ndërsa mendohet që në sherr janë përfshirë edhe Arif, Namik e Jace Bejtaj, pikërisht për shkak të punimeve në rrugë dhe vendit ku do të kalonte rruga.

 Mendohet se ka qënë Mersin Bejtaj ai i cili qëlloi në drejtim të vëllezërve Osmënaj, ndërsa një plumb ka kapur Argjil Gjokën i cili ka ndërhyrë për të shuar konfliktin. Plumbi në kraharor i ka shkaktuar vdekjen, pas disa çastesh në Spitalin Rajonal të qytetit të Vlorës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat