Pse në Shqipëri po rritet numri i vetëvrasjeve?!

Shqipëria

Pse në Shqipëri po rritet numri i vetëvrasjeve?!

Më: 17 qershor 2019 Në ora: 20:51
Foto ilustrim

Të ndodhur në udhëkryq, të shumtë janë ata që zgjedhin rrugën më të shkurtër.

Vitin e shkuar 213 persona në Shqipëri sipas Institutit të Statistikave i kanë dhënë fund jetës. 14 më shumë se në 2017. Vetëvrasjet thonë sociologët reflektojnë krizën që po kalon shoqëria.

“Nuk është vetëm me komponent material, por është edhe me komponentë të rëndësishëm imaterialë, siç janë ato psikologjikë dhe shpirtërorë. Kanë krijuar një situatë eksplozive, e cila reflektohet pastaj në kapitullimin e shumë njerëzve përpara këtyre fatkeqësive dhe që gjejnë mënyrën më të lehtë për t’iu larguar telasheve të jetës siç është vetëvrasja.

Ka shenja që bëhet më intensive sepse edhe problemet e përballimit të jetës nuk janë të lehta”, tha Gëzim Tushe.

Numri më i lartë i vetëvrasjeve është regjistruar tek burrat, 148, në raport me gratë, 65. Sociologët kanë një shpjegim dhe për këtë.

“Gratë janë më të qëndrueshme, më rezistente, janë më të afta për t’u orientuar në këtë terren likuid të rrëshqitshëm të realiteteve të sotshme. Mendojnë më gjatë, i marrin vendimet më të peshuara, ndërsa tek meshkujt kjo është edhe një rezultat i ngutjes që kanë në vendimmarrje. Por kjo është edhe me një arsye tjetër sepse meshkujt në shoqërinë shqiptare janë përdorues të gjerë të lëndëve psikotrope, të alkoolit, të drogës, të cilat kanë efekte degraduese”, tha Tushe.

Sociologët apelojnë për forcim të rolit të familjes. Shmangia e turpit dhe drejtimi tek psikologu sipas Tushit do të evitonte veprimin fatal.

“Kërkimi i ndihmës nga psikologu, nga ndihmësi social, nga pedagogu, nga mësuesi, nga mjeku etj, janë kërkesa të domosdoshme sepse në fund të fundit sa do të dijë bashkëshorti, për bashkëshorten, këto janë ca diagnoza që duhet t’i bëjë profesionisti. Prandaj le t’i afrojmë pak më shumë në shoqëri këta profesioniste si i bën mirë. Nëse ne i stërvitim fëmijët me lugën e argjendtë në gojë, duke menduar që gjithçka do shkojë vaj, e ka gabim. Kjo jetë nuk është më e qetë, kjo jetë nuk është më e sigurt, përkundrazi frikërat, pasiguritë, vështirësitë, do vijnë gjithnjë e më shumë në rritje. Këto do të përballohen individualisht”, tha Gëzim Tushe.

Numri më i lartë i vetëvrasjeve në vendin tonë në gjashtë vitet e fundit sipas Institutit  të Statistikave është shënuar në 2014-n, me 262 persona që i kanë dhënë fund jetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat