Tahiri nga Krimet e Rënda: Jam ministri më i mirë në histori! Gjyqi politik

Shqipëria

Tahiri nga Krimet e Rënda: Jam ministri më i mirë në histori! Gjyqi politik

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 11:30
Saimir Tahiri

Shtyhet seanca e sotme gjyqësore te Krimet e Rënda, në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Duke folur në dalje të gjykatës ai tha se kukoi gjykim të shkurtuar, por kjo nuk do të thotë se e pranon fajësinë.

“Jam ministri i Brendshëm më jetëgjatë por edhe më i miri në historinë e pluralizmit. E kam boll një gjyq politik nuk ka nevojë të bëjë gjyq këtu me mediat. Nuk ka nevojë të zvarritet ky gjyq, kam arsye të besoj se ka shumë që janë të interesuar që kjo situatë të vazhdojë kështu dhe nuk u intereson të bëhet drejtësi. Mendoj se unë jam i vetëm që kërkon të bëhet drejtësi. Le të bëhen seancat ditë për ditë, pasi nuk besoj se ka më shumë kohë për të humbur”, u shpreh Tahiri.

Ai shtoi se procesi ndaj tij nisi në Itali me përgjimet e Italisë, dhe gjykata në Itali e dha gjykimin në një kohë shumë të arsyeshme duke thënë se "Saimir Tahiri nuk ka lidhje me këtë histori".

Në këtë drejtim ish-ministri pyeti, “Për cilën arsye duhet të zvarritet gjyqi më shumë?’

Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Më 26 mars, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të nisë gjykimin ndaj ish-ministrit duke mos pranuar pushimin e çështjes.

Mbyllja e hetimeve ndaj ish-ministrit dhe dërgimi i dosjes në gjykatë, u bë pasi më 11 shkurt Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, për të mos zgjatur hetimet me tre muaj të tjerë.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat