Liderët e Ballkanit paralajmërojnë forcimin e nacionalizmit pas shtyrjes së negociatave

Shqipëria

Liderët e Ballkanit paralajmërojnë forcimin e nacionalizmit pas shtyrjes së negociatave

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 12:20
Zoran Zaev dhe Edi Rama

Forcat nacionaliste do të forcohen në Ballkan nëse Shqipëria dhe Maqedonia Veriore nuk do të marrin dritën e gjelbër në vjeshtë për të filluar negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, thanë kryeministrat e dy vendeve për Financial Times.

Sipas gazetës britanike në artikullin e botuar sot, kryeministrat dhanë këtë paralajmërim ndërsa ministrat e jashtëm evropianë shtynë vendimin për të hapur negociatat mes dy vendeve deri në tetor.

Të dy vendet kanë nisur reforma të gjera për të përmbushur standardet e BE, por për shkak të kundërshtimit të Francës dhe Holandës në takimin e djeshëm, nisja zyrtare e negociatave për anëtarësim nuk është miratuar pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Evropian.

"Ne nuk kemi nevojë për një radikalizëm të ri, nacionalizëm dhe populizëm në vendin tonë. Nuk është shumë e rëndësishme nëse ne kemi vendimin e Këshillit Evropian në qershor apo tetor, por nëse është tetor, le të jetë më në fund tetori, sepse ka pasur shumë vonesa ", tha kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se mund të jetë e dëmshme për BE-në nëse rajoni i Ballkanit, i rrethuar nga shtetet anëtare të Bashkimit, nuk është plotësisht i integruar në bllokun evropian.

Rama tha se mund të destabilizohet më tej rajoni nëse shtetet anëtare që janë skeptike rreth zgjerimit, do të vazhdojnë të injorojnë rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian.

"Nuk duhet të kemi gjëra të reja të këqija që të kuptojnë se çdo bllokim i këtij procesi po nxit nacionalizmin, fantazitë dhe ëndrrat e dëmshme", tha Rama.

Të dy udhëheqësit folën për FT në margjinat e forumit për Ballkanin Perëndimor në Londër.

Zaev duket se shpreson që Maqedonia Veriore, e cila u portretizua si një histori e rrallë suksesi në rajon vitin e kaluar kur përfundoi dekadat e konfliktit të vjetër me Greqinë mbi emrin e saj, do të marrë miratimin për të filluar negociatat më vonë këtë vit, sipas Financial Times.

Gazeta shton se ka më shumë skepticizëm në disa vende evropiane rreth gatishmërisë së Shqipërisë për të negociuar zyrtarisht.

Afati i tetorit do të jetë një provë për besueshmërinë e Brukselit, tha Florian Biber nga Qendra për Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit dhe shtoi se do të ishte "e paqëndrueshme" për dy krerët e Ballkanit që të mbeten në pushtet nëse vendimi shtyhet përsëri.

"Kjo nuk është vetëm për politikën e zgjerimit, por është për vetë BE-në. Kjo në thelb thotë se BE është e paaftë për të marrë vendime në fushën kryesore të politikës së saj", tha Biber.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat