PS voton sot ligjin/ Kush cenon zgjedhjet, nuk lëviz jashtë shtetit

Shqipëria

PS voton sot ligjin/ Kush cenon zgjedhjet, nuk lëviz jashtë shtetit

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 10:10
Kuvendi i Shqipërisë

Partia Socialiste ka ndërmarrë një nismë ligjore për vendosjen e sanksioneve shtesë për personat që cenojnë apo dhunojnë procesin zgjedhor.

Deputeti Ervin Bushati ka paraqitur një amendament shtesë në ndryshimet, që po i bëhen Kodit Penal, ku kërkon që për personat që cenojnë apo dhunojnë procesin zgjedhor, krahas dënimit penal, të vendoset si sanksion shtesë pengimi për të udhëtuar jashtë Shqipërisë për periudha kohore nga pesë deri në dhjetë vite.

“Ndalimi i daljes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë jepet nga gjykata për një kohë nga pesë deri në dhjetë vjet ndaj personit që kryen një vepër penale që cenon zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”, është neni i ri i propozuar që të shtohet në Kodin Penal nga deputeti socialist.

MIRATIMI

Miratimi i këtij ndryshimi do të bëhet ditën e sotme në seancë plenare. Ky amendament është propozuar 24 orë përpara miratimit në seancë plenare dhe është futur konform Rregullores së Kuvendit. Seanca e ditës së sotme në rendin e ditës ka miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal, e cila është një paketë e gjerë e propozuar nga Grupi Parlamentar Socialist, që nga armëmbajtja pa leje, luajtja në lojërat e fatit të paautorizuara etj..

Pritet që kjo pikë të jetë edhe më e ethshmja në debatin që do të zhvillohet, pasi bëhet në një kohë kur vendi është dhjetë ditë përpara 30 qershorit, datë e cila nga socialistët është ditë zgjedhjesh vendore, ndërsa për opozitën është ditë proteste për t’i ndaluar ato. Vetë Kryeministri Rama në artikulimet e shumta, që ka bërë që në nisje të fushatës elektorale, e ka trumbetuar pengimin për të udhëtuar jashtë Shqipërisë si një pikë ku do të mund të tërheqë personat që mund të pengojnë proceset zgjedhore.

Në disa takime elektorale, si në Laç, Berat, Elbasan, Kryeministri ka thënë se, nëse një person dënohet për pengimin e procesit zgjedhor, do t’i ndalohet hyrja në vendet e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kësisoj, Grupi Parlamentar Socialist vendosi që, krahas artikulimit të kryetarit të tyre, ta bëjnë ndryshim konkret në Kodin Zgjedhor.

NDRYSHIMET

Paketa e ndryshimeve në Kodin Penal përbëhet nga 23 nene së bashku me nenin që pengon lëvizjen jashtë Shqipërisë. Në këtë paketë janë ashpërsuar dënimet edhe për armëmbajtjen pa leje, prishjen e qetësisë publike, dhunimin në ambientet sportive, mbajtja e kafshëve të shoqërimit pa masa mbrojtëse, marrja pjesë në lojëra të fatit të paautorizuara, dhunimin e personelit mjekësor, bllokimin e rrugëve etj.. Këto nene u paraqitën një muaj më parë nga ana e Grupit Parlamentar Socialist me argumentin për përmirësimin e kuadrit ligjor pas problematikave që ishin hasur në zbatimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat