Shqipëria: Gjetjet paraprake të misionit të përbashkët për lirinë e shprehjes

Shqipëria

Shqipëria: Gjetjet paraprake të misionit të përbashkët për lirinë e shprehjes

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 07:59
Konferenca

Një delegacion i përbërë nga shtatë organizata globale që merren me lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve ka qënduar në Tiranë në një mision ndërkombëtar mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri. Qëllimi i misionit ishte mbledhja e informatave rreth sfidave të lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit në Shqipëri. 

Delegacioni është takuar me gazetarë; kryeredaktorë, përfaqësues të shoqërisë civile, organizata ndërkombëtare dhe ambasada të huaja të pranishme në Tiranë; dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.    

Gjatë 18-21 Qershorit 2019, ne ndërmorëm një mision ndërkombëtar mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri, me përbërje nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF), ARTIKULLI 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët Pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias së Europës Juglindore (SEEMO).1 Misioni synoi të mbledhë informacion mbi sfidat e lirisë së shprehjes dhe lirinë e shtypit në Shqipëri dhe për të përçuar shqetësimet drejtpërsëdrejti te përfaqësuesit e qeverisë.

Ne u takuam me gazetarë; kryeredaktorë, përfaqësues të shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja të pranishme në Tiranë; dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, refuzoi të takohet me delegacionin. Ne vlerësojmë mundësinë e dhënë për t'u takuar me një gamë të gjerë aktorësh që ofruan njohuri mbi gjendjen e lirisë së shtypit në Shqipëri.

Delegacioni gjeti se liria e shtypit në Shqipëri është në përkeqësim. Sulmet fizike të kohëve të fundit kundër gazetarëve kanë mbetur të pazgjidhura. Zyrtarët më të lartë publikë rregullisht përdorin gjuhë që ul vlerat dhe sulmon gazetarët kritikë. Administrata publike, përfshirë zyrën e kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë Tiranë, nuk janë transparencë në ndërveprimin e tyre me median dhe kufizojnë aksesin e gazetarëve kritikë. Legjislacioni i propozuar së fundmi i lidhur me median, përfshirë një skemë drakoniake rregullimi për median shqiptare dhe atë të huaj, nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Ne jemi të shqetësuar se Shqipëria, një demokraci, një Shtet anëtar i Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), dhe një vend kandidat për Bashkimin Europian, nuk po respekton detyrimet e saj për të garantuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit siç kërkohet nga ligji shqiptar dhe instrumentet ndërkombëtare, përfshirë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

1. Amendimet e propozuara mbi rregullimin e medias Koalicioni është thellësisht i shqetësuar nga propozimet e dhjetorit 2018 të qeverisë së Shqipërisë për ndryshime në legjislacionin mbi median në vend, i cili do të krijojë një kërkesë për regjistrim të detyruar të medias në internet dhe do të krijojë një organ administrativ me fuqi për të gjobitur dhe mbyllur median online dhe për të bllokuar mendian e huaj pa një urdhër gjykate. Ne konsiderojmë se këto masa tentojnë të krijojnë një rregullim shtetëror për median online, gjë që bie në kundërshti me praktikat më të mira ndërkombëtare mbi vetë-rregullimin dhe mund të ketë ndikim të dëmshëm mbi lirinë e shprehjes dhe të informimit dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.

Në takimin tonë me kryeministrin, ai na informoi se një version i ri i përditësuar i projektit të amendamenteve do të bëhet publik së shpejti pas kritikave ndërkombëtare. Ai deklaroi se në draftin e ardhshëm, mundësia për mbyllje do të eliminohet dhe gjobat do të jenë shumë më të ulëta se sa ishin në projektin fillestar. Ne i mirëpresim këto ndryshime dhe rikujtojmë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që thonë se "shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyruar të medias online si parakusht për punën e tyre për shkak se kjo mund të ketë efekt shumë negativ mbi lirinë e medias." Qeveria duhet të sigurohet që ky legjislacion të jetë tërësisht në përputhje me praktikat më të mira të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe praktikat më të mira të BE-së.

Ne jemi gjithashtu të shqetësuar mbi mungesën në vijimësi të transparencës në lidhje me konsultimet mbi projektligjin, i cili u prezantua përgjatë pushimeve të Krishtlindjeve dhe iu dha një periudhë ekstremisht e shkurtër konsultimi. Ne inkurajomë qeverinë e Shqipërisë të sigurojë që të ndërmerret një proces kuptimplotë konsultimi me gazetarët dhe shoqërinë civile me draftin tjetër të amendimeve.

2. Shpifja

Delegacioni shprehu shqetësim mbi atë që gazetarët e përshkruan si një numër në rritje të akuzave për shpifje të motivuara politikisht kundër gazetarëve të ngritura nga politikanët, shpesh duke kërkuar dëmshpërblime në shuma disproporcionale. Pretendime të tilla kanë pasoja serioze dëmtuese mbi gazetarët. Delegacioni vëren raportet pozitive nga gjykatat shqiptare, të cilat gjithnjë e më shumë po zbatojnë standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastet e shpifjeve.

Megjithëse dënimet me burg për shpifje u anuluan në vitin 2012, shpifja dhe fyerja mbeten vepra penale të ndëshkueshme me një gjobë penale, dhe gjatë viteve të fundit janë parë propozime për të rikthyer ligjet penale kundër shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë. Edhe pa kërcënimin për dënim me burg, potenciali i përballjes me dënim penal për punën e tyre mund të shtyjë gazetarët të ushtrojnë vetë-censurën. Ne fuqimisht rekomandojmë që Shqipëria të anulojë tërësisht ligjin penal të shpifjes dhe fyerjes.

Nga ana e tij, kryeministri Rama tha se do të konsiderojë mundësinë e shfuqizimit të plotë të ligjeve penale të shpifjes. Ai tha se ai personalisht nuk do të përdorte ligjin penal kundër gazetarëve por do të vijonte të ngrinte padi civile për shpifje kundër gazetareve vetëm në raste "ekstreme".

3. Siguria e gazetarëve: kërcënimet, sulmet dhe vetë-censura

Delegacioni u informua gjatë intervistave me aktorët se raste të ndryshme të sulmeve fizike dhe kërcënimet serioze kundër gazetarëve në lidhje me raportimet e tyre mbeten të pazgjidhura nga autoritetet. Së fundmi, gazetarët u plagosën gjatë protestave anti-qeveritare. Gazetarët investigativë janë ngacmuar apo pushuar nga puna për shkak të raportimeve të tyre, në disa raste pas ndërhyrjeve të dyshuara nga politikanë të partisë në pushtet. Në disa raste, gazetarët vendosin të mos raportojnë kërcënimet dhe sulmet te autoritetet përkatëse dhe të mos informojnë publikun. Përveç kësaj, ka raste në të cilat gazetarët tërheqin kallëzimet kundër shkelësve të dyshuar për shkak të frikës për hakmarrje të mëtejshme. Delegacioni u informua se autoritetet nuk ndjekin siç duhet çështjet, dhe nuk investigojnë arsyet pas kërcënimeve dhe sulmeve. Ne jemi të shqetësuar se autoritetet dështojnë të hetojnë në tërësi kërcënimet dhe sulmet kundër gazetarëve, duke kontribuuar në këtë mënyrë në një atmosferë pandëshkueshmërie që ka forcuar sulmuesit të kryejnë sulme të ngjashme dhe të frikësojnë gazetarët drejt heshtjes. Ne jemi gjithashtu të shqetësuar që autoritetet dështojnë të garantojnë sigurinë e gazetarëve që raportojnë nga protestat.

4. Fushata denigruese kundër gazetarëve

Gjatë takimeve me gazetarët, delegacioni u informua se Kryeministri Edi Rama në mënyrë konstante i referohet atyre si "kazanë". Në mënyrë të ngjashme, udhëheqësi i opozitës Lulzim Basha i referohet medias si "të kapur dhe të blerë". Një gjuhë e tillë denigron gazetarët dhe i bën ata të duken si shënjestër e ligjshme për agresion në sytë e publikut, duke rritur rrezikun e kërcënimeve apo dhunës kundër tyre. Gazetarët që ne takuam deklaruan se kur Kryeministri Rama i quan ata "kazanë", kjo pasohet me ngacmime të menjëhershme online kundër gazetarëve nga anëtarë të publikut që përdorin të njëjtat fjalë me kryeministrin dhe në disa raste gjuhë edhe më të egër e kërcënime. Ne jemi të alarmuar nga një gjuhë e tillë sulmuese dhe propaganduese e përdorur nga liderët politikë dhe politikanët e tjerë kundër gazetarëve. Delegacioni e ngriti këtë shqetësim me Kryeministrin Rama, i cili mbrojti përdorimin e kësaj gjuhe por u angazhua të mos i thërrasë më gazetarët "kazanë" në të ardhmen.

5. Transparenca e institucioneve - aksesi në informacion/konferenca për shtyp

Situata e aksesit në informacion dhe në transparencën e qeverisë në Shqipëri duket se është e përzierë. Nga njëra anë, ligji shqiptar për të drejtën e informimit shihet gjerësisht si i shkëlqyer, megjithëse zbatimi mbetet i papërshtatshëm. Autoritetet shtetërore vijojnë t'i mohojnë gazetarëve akses në dokumente me interes publik thelbësor dhe të ligjshëm - veçanërisht ato të lidhura me kontratat publike, tenderët dhe koncesionet - dhe përdorin taktika vonuese me rezultat që kur gazetarët në fund marrin informacionin, ai nuk është më relevant. Gjithsesi, si Komisioneri për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ashtu edhe gjykatat shqiptare janë duke luajtur një rol të rëndësishëm në konfirmimin e të drejtës së gazetarëve për të aksesuar dokumente.

Në anën tjetër, delegacioni gjeti konsensus të gjithëpërhapur mes aktorëve të medias se administrata publike në Shqipëri kufizon aksesin e gazetarëve të pavarur dhe përdor formate e veta 4 të komunikimit për të shmangur median kritike dhe për të kontrolluar narativën. Sipas intervistave me shumë aktorë, kryeministri nuk mban konferenca të rregullta për shtyp. Kur konferenca të tilla kryhen, vetëm gazetarët që punojnë për median pranë qeverisë lejohen të bëjnë pyetje. Kamerat nga mediat e ndryshme nuk janë të lejuara. Gjithnjë e më shumë, kryeministri përdor ERTV, kanalin e vet online televiziv, si portalin e tij personal të komunikimit me publikun. Gjatë fushatave elektorale të tilla si kjo që po ndodh aktualisht, gazetarët ndalohen nga mbulimi i ngjarjeve të fushatës dhe në vend të kësaj u serviren materiale të parapërgatitura që ata pritet t'i përdorin. Praktika e imponimit të një burimi videoje të kontrolluar nga qeveria dhe të materialeve të tjera mbi mediat kufizon shumë aksesin e gazetarëve në informacion dhe aftësinë për t'i dhënë publikut një perspektivë të pavarur mbi veprimet e atyre në pushtet.

Në një takim me delegacionin, Kryeministri Rama nuk ishte dakord me gjetjet e mësipërme, duke thënë se ai ka mbajtur konferenca për shtyp "kur ka qenë e nevojshme", duke shtuar "Ne nuk bëjnë asnjë lloj përzgjedhjeje, ne nuk themi 'ti hyr' ose 'ti dil' -- ne ftojmë dhe të gjithë janë aty ". Ai tha se ai ishte i hapur për pyetje nga të gjithë gazetarët dhe se ai kurrë nuk i ka mohuar dikujt mundësinë për të mbuluar fushatat e tij elektorale. Ai e përshkroi ERTV-në si një "dritare" në aktivitetet e qeverisë.

6. Pronësia e medias

Misioni ynë konfirmoi se pronësia e medias shqiptare dhe të ardhurat nga reklamat janë shumë të përqendruara në duart e pak grupeve nën pronësi familjare, me një shkallë të lartë pronësie ndërsektoriale. Kjo situatë është theksuar më herët nga BIRN Albania dhe Reporterë Pa Kufij. Një ligj i mëparshëm që mbart rregulla specifike mbi pronësinë e stacioneve televizive nuk është më në fuqi.

7. Rekomandime

• Në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë nën Këshillin e Europës, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe OSBE-së, ne nxisim qeverinë të eliminojë klauzolat ligjore që mund të imponojnë kërkesa për regjistrim dhe rregullim shtetëror të medias në internet, si dhe klauzolave që i japin rregullatorëve fuqinë për të pezulluar apo bllokuar aksesin te publikimet elektronike apo që të vendosin gjoba;

• Legjislacioni për median duhet të hartohet në një mënyrë transparente, në konsultim të ngushtë me gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile. Kryeministri, kryetari i opozitës dhe politikanët duhet të ndërpresin menjëherë fushatat e sulmeve dhe retorikën diskredituese kundër gazetarëve dhe profesionistëve të medias;

• Politikanët shqiptarë duhet të organizojnë konferenca të shpeshta për shtyp dhe të lejojnë të gjithë gazetarët të bëjnë pyetjet dhe të mos diskriminojnë ata në bazë të raportimeve që ata bëjnë. Të gjithë gazetarët duhet të kenë akses të barabartë në informacion të qeverisë/publik;

• Ne nxisim autoritetet të garantojnë sigurinë e gazetarëve që raportojnë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin, të rrisin efikasitetin e hetimit të plotë dhe tërësor të kërcënimeve, fushatave të shpifjeve dhe sulmeve fizike kundër gazetarëve, duke i sjellë ata përgjegjës para drejtësisë. Autoritetet duhet të garantojnë sigurinë e gazetarëve që raportojnë nga protestat.

• Ne nxisim gazetarët dhe profesionistët e medias të raportojnë rastet e sulmeve dhe kërcënimeve te partnerët e Platformës së Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Sigurinë e Gazetarëve, te Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias dhe te organizatat për lirinë e shprehjes;

• Ne nxisim gazetarët dhe shoqërinë civile brenda Shqipërisë të ndërmarrin masa për të fuqizuar solidaritetin;

• Ne nxisim gazetarët dhe profesionistët e medias në Shqipëri të respektojnë standardet profesionale dhe të fuqizojnë vetë-rregullimin përmes anëtarësisë në Këshillin Shqiptar të Medias;

• Ligjvënësit duhet të miratojnë amendimet për të siguruar pavarësinë operacionale, financiare dhe të burimeve njerëzore të Komisionerit për të Drejtë Informimi dhe për Mbrojtjen e të Dhënave Personale;

• Të vendosen masa efikase për të rritur transparencën dhe pluralizmin e pronësisë së medias.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat