Punime artizanale pas hekurave: Gratë e burgosura në Shqipëri krijojnë aksesorë “Made in prison”

Shqipëria

Punime artizanale pas hekurave: Gratë e burgosura në Shqipëri krijojnë aksesorë “Made in prison”

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 10:38
Punime

“Made in Prison” është një faqe interneti ku shiten punimet me dorë të të dënuarave në burgun “Ali Demi” në Tiranë, i vetmi për gratë dhe vajzat në Shqipërinë me popullsi rreth 2.8 milionë banorësh, shkruan Global Voices.

Projekti është një nismë e Orkidea, një organizatë joqeveritare lokale, që ndër të tjera merret me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave e vajzave nëpërmjet shërbimeve të drejtpërdrejta. Projekti mbështetet financiarisht nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Që nga lançimi më 8 mars 2019, iniciativa është përkrahur edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Deri më 12 qershor, të burgosurat kanë bërë 235 punime me dorë, nga të cilat 82 janë shitur për konsumatorët shqiptarë dhe ata jashtë vendit nëpërmjet faqes së internetit, sipas të dhënave të ofruara nga Orkidea.

Të ardhurat e grumbulluara shkojnë në llogaritë bankare personale të artizaneve, produktet e të cilave janë shitur.

Në një dëshmi në faqen e internetit të “Made in Prison”, një e burgosur tregon se si projekti ka ndikuar pozitivisht në jetën e saj:

Unë jam Mira. Jam në burgun e grave prej 2 vitesh e gjysmë. Këtu kam mësuar shumë. Shërbimet që ju po na ofroni po më ndihmojnë të kthej jetën time. Ndjehem si një njeri përsëri. 3 vjet burg ishte dhe është shumë e vështirë, por ju po më ndihmoni ta shoh jetën përsëri me shpresë.

Orkidea aktualisht paguan për materialet e përdorura për krijimin e produkteve, por të burgosurat kanë shprehur dëshirën të mbulojnë një pjesë të kostos në të ardhmen, për ta bërë projektin një biznes të qëndrueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat