Meta: Sa më i madh të jetë roli i gruas, aq më e emancipuar do të jetë shoqëria jonë

Shqipëria

Meta: Sa më i madh të jetë roli i gruas, aq më e emancipuar do të jetë shoqëria jonë

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 13:17
Ilir Meta

Nën kujdesin e veçantë të Presidentit Ilir Meta u çel në mjediset e hapura të Institucionit të kreut të shtetit ekspozita kushtuar grave të suksesshme shqiptare kudo ku jetojnë: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Gjermani, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj.

Pasi përuroi hapjen e ekspozitës së titulluar “121 jetë suksesi në 121 fotografi” dhe duke mirëpritur zonjat dhe zonjushat që me kontributet e tyre lartësojnë emrin e Shqipërisë në botë, Presidenti tha se, “Ky ndriçim që ju na sillni këtu, së bashku me historitë tuaja të suksesit në katër anët e botës, është frymëzues për shumë gra dhe vajza të reja shqiptare, të cilat kanë nevojë të kenë më shumë besim e më shumë frymëzim për t’u ndarë me dëshpërimin që vjen shpesh edhe nga pamundësia për të gjetur modelin dhe shembullin e duhur.”

Pasi falënderoi “Albanian Excellence” dhe drejtuesen, znj. Flora Nikolla, që në këto vite janë bërë promotore të evidentimit dhe vlerësimit të grave të sukseshme shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, Presidenti Meta theksoi se:

“Zonjat kanë ardhur jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, nga Plava dhe Gucia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania dhe Italia edhe nga Presheva, duke paraqitur 121 histori suksesi dhe frymëzimi, në profesionet e tyre dhe në jetë, duke kapërcyer sfidat me të cilat janë ndeshur e duke i fituar ato në fusha të ndryshme si kulturë, art, arsim e mjekësi. U gëzova pa masë kur mësova se ‘Albanian Excellence’ e ka shpallur vitin 2019 ‘Viti i Gruas’, sepse kemi vërtet nevojë për qetësinë, mençurinë dhe impenjimin e grave shqiptare në të gjitha aspektet e jetës dhe shoqërisë dhe e kemi të domosdoshme që të jetë vërtet një vit pozitiv. Jam i bindur që, kur gratë janë të bashkuara dhe japin kontributin e tyre, përfituesit më të mëdhenj janë familja, komuniteti dhe atdheu”, vuri në dukje Presidenti Meta.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të dëgjohet zëri i grave dhe vajzave për çështje më të rëndësishme që kanë të bëjnë me fuqizimin e tyre ekonomik, me fuqizimin e tyre politik, me mbështetjen sidomos për gratë kryefamiljare që kanë një përgjegjësi të jashtëzakonshme, me mbështetjen për gratë dhe vajzat në nevojë, apo përfaqësimi më i gjerë i grave e vajzave në vendimmarrje kudo.

Në këtë linjë nënvizoi se vetëm duke u mundësuar grave dhe vajzave të bëhen pjesë më aktive dhe më e rëndësishme në vendimmarrje do të kemi ligje më të mira për familjen, për fëmijët, për moshën e tretë dhe më gjerë.

“Sa më i madh të jetë roli i gruas aq më e emancipuar, më e shëndetshme dhe më e bashkuar do të jetë shoqëria jonë”, nënvizoi Presidenti Meta.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat