Visar Zhiti: Politika është serioze, nuk u duhet lënë politikanëve

Shqipëria

Visar Zhiti: Politika është serioze, nuk u duhet lënë politikanëve

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 17:21
Visar Zhiti

“Politikanët tanë mendojnë vetëm fatin e tyre, nuk janë burra shteti që mendojnë për të ardhmen.”

Kështu shprehet shkrimtari Visar Zhiti në intervistë për MAPO.

Sipas Zhitit, ata duhet të dalin nga kultura e urrejtjes dhe të bëhen europianë e të gjejnë gjuhën e dialogut.

Kriza politike në vend ka arritur pikën më të nxehtë, si e shikoni ju këtë që po ndodh në politikë? Në analizën tuaj si shkrimtar e intelektual, mos vallë kemi dështuar ne si shoqëri që nuk marrim masa mbrojtëse ose garanci që mos të lejojmë politikën dhe politikanët të vijnë deri në këtë pikë?

Kriza politike në vend ka arritur pikën më të ftohtë, do të thosha, acar fare, po flas thjesht, si një qytetar, ndërsa nxehtësia është poshtë, do të thosha, mes protestuesve dhe policisë, aq sa ndonjëherë duhet uji i zjarrfikëseve për shuarje e përballje… Qytetarët kanë të drejtë, por e drejta duhet kërkuar me qytetari. Duhet zgjedhur dhe zgjedhjet janë bërë të vështira, duken si të pamundura, një absurd, ku kundërshtar është vetvetja. Nuk dua ta besoj se kemi dështuar si shoqëri, jemi të tradhtuar, edhe të mashtruar, pa profilaksinë e duhur dhe… dhe… nuk di ç’të them, duhet vetëndaluar marrëzia e politikes, që sa më lart, aq më e çmendur bëhet.

Pse është kaq agresive politika? Si shpjegohet që shkohet kaq lehtë deri në skaj?

“Politika” është shndërruar në një lojë dramatike, kokëforte dhe kriza në një mbingarkesë të tepërt për vendin, rrënuese dhe si gjithçka e tepruar, del kundër vetes, siç thoshin grekërit e lashtë. Politika i ngjan një ringu, aty bëhet boks metaforik dhe jo, ndërsa përreth populli shikon ndeshjen, ndizen gjakrat me mundësinë e kacafytjes. Absurd dhe trishtim dhe të drejtë kanë të gjithë sipas mënyrës së tyre, por ashpër, tejet ashpër. E drejta e parë është interesi i vendit.

Sipas jush, si mund të dilet nga kjo krizë? A mund të shohim një zgjidhje të afërt? Nëse jo, çfarë na pret?

Besoj se do të vetëndreqet nga përplasja, për të mos thënë se do të vetëshkatërrohet kjo që është, për t’ia lënë vendin normales, që do të vijë… dhe me ndihmën e te ndërkombëtarëve. Porositë nga SHBA dhe Bashkimi Europian janë të qarta dhe jetike. Duhet vullneti për t’i zbatuar.

Pse këtu në Shqipëri shitblerja e votës nuk shihet vetëm si një problem penal, një problem i drejtësisë, por është kthyer në një çështje kulturore?

Antikulturore duhet thënë. Mungon jo vetëm kultura politike, por dhe edukata kombëtare, siç thoshte Lasgush Poradeci. Zhvleftësimi i votës nis me zhvleftësimin e atyre që votohen, përgjegjësi e partive kjo. Se ç’bëhet brenda në parti, nuk e di. Unë jam me partinë e popullit, që ende s’është themeluar…

Si njeri i letrave cili është apeli juaj sot për klasën politike? Çfarë do të donit të shikonit te sjellja e politikanëve shqiptarë në këtë kohë krize?

Unë nuk besoj se ata, politikanët profesionistë, nuk e dinë se ç’duhet, por bëjnë atë që u duhet, më shumë atyre se sa vendit, për fat të keq, kështu besohet. Politika është një gjë serioze, që nuk duhet lënë në dorë të politikanëve, thoshte një i mençur, sociolog. Pra, politikanët duhet të jenë seriozë e të përgjegjshëm, të duan vendin, prosperitetin e tij. Të bëhen lidera, burra shteti. Se politikani mendon zgjedhjet e ardhshme, thoshte Çurçilli, burri i shtetit të ardhmen.

Apeli më i vyer tani ka qenë ai që bëri ipeshkvi i dioqezës Durrës-Tiranë, i Kishës tonë katolike, Imzot George Frendo. Merr shembullin e besimeve fetare, tha ai, ne jemi në harmoni mes nesh. Bashkëpunoni që vendi të mos bjerë në humnerë. Dhe lutja e ipeshkvit të Rrëshenit, imzot Gjergj Metës është frymëzuese për të gjithë. Marrëveshje duhet. Bashkëpunim. Respekt për veten, dashuri për njerëzit. Jo në urrejtje e shkatërrime. Që të shkojmë në Europë, duhet të kemi Europën e Kulturës brenda vetes, demokracinë dhe lirinë dhe besnikërinë Euroatlantike, kujtesë dhe vizion Perëndimor, me flatrat e shqiponjës së Flamurit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat